Rriten ҫmimet e gazit në Europë, pasi mirëmbajtja e tubacionit të Rusisë shton frikën për një ndërprerje totale të furnizimeve

Çmimet e gazit natyror në Europë pësuan rritje të hënën pasi gjiganti shtetëror i energjisë në Rusi, Gazprom, deklaroi se do të mbyllte infrastrukturën e vetme më të madhe që shërben për furnizimim e gazit drejt Europës, për tre ditë gjatë fundit të muajit.
Kjo mirëmbajtje e paplanifikuar në tubacionin Nord Stream 1, i cili kalon nga Rusia për në Gjermani nëpërmjet Detit Baltik, thellon mosmarrëveshjet për gazin midis Rusisë dhe Bashkimit Europian dhe përkeqëson rrezikun e një recesioni dhe të mungesës së rezervave gjatë dimrit.
Çmimi i gazit në qendrën holandeze TTF, një pikë referimi për të gjithë Europën për tregtimin e gazit natyror, u rrit me 19% të hënën, duke arritur në 291.5 euro për megavat orë.
Ky ҫmim të premten arriti një rekord prej 244.55 euro për megavat orë, duke regjistruar rritjen e pestë radhazi në javët e fundit.
Gazprom deklaroi të premten se kjo mbyllje do të vinte për shkak të faktit se kompresori i vetëm që ka mbetur në këtë tubacion, kishte nevojë për mirëmbajtje. Furnizimet e gazit përmes gazsjellësit Nord Stream 1 do të pezullohen për një periudhë treditore, nga 31 gushti deri më 2 shtator.
Gazprom tha se furnizimet me gaz do të rifillojnë me një normë prej 33 milionë metra kub në ditë pasi të përfundojë puna për mirëmbajtjen, “nëse nuk do të identifikohen problematika”.
Ky njoftim për mbylljen e përkohshme të gazjellësit vjen në një kohë kur qeveritë e Europës po përpiqen të mbushin magazinat nëntokësore me gaz natyror, në një përpjekje për të pasur mjaftueshëm burime për të furnizuar shtëpitë gjatë muajve të ardhshëm të dimrit.
Rusia ka reduktuar në mënyrë drastike furnizimet me gaz natyror drejt Europës në javët e fundit, pasi gazsjellësi Nord Stream 1 aktualisht po funksionon vetëm me 20% të kapacitetit të dakordësuar.
Moska më parë fajësoi pajisjet problematike, të cilat u risollën me vonesë në Rusi, për rënien e konsiderueshme të furnizimeve me gaz.
Megjithatë, Gjermania e konsideron reduktimin e furnizimeve si një manovër politike, e cila synon të sjellë pasiguri në të gjithë bllokun dhe të rrisë çmimet e energjisë pas sulmit të Kremlinit kundër Ukrainës.
Dy rreziqe serioze
Deri vonë, Gjermania blinte më shumë se gjysmën e gazit të saj nga Rusia. Ndërsa tani, qeveria e ekonomisë më të madhe të Europës po has vështirësi për të siguruar furnizimet me gaz për muajt e dimrit, për shkak të frikës në rritje se Moska së shpejti mund t’i ndërpresë plotësisht ato.
Për më tepër, gara e Europës për të magazinuar sasi të mjaftueshme të gazit vjen në një kohë kur çmimet kanë arritur nivele stratosferike. Rritja e kostove të energjisë po ngre faturat e familjeve, duke bërë që inflacioni të arrijë nivelin më të lartë në dekada dhe duke reduktuar kështu fuqinë blerëse të konsumatorëve.
Holger Schmieding, kryeekonomist në Berenberg Bank, tha se njoftimi i fundit i Gazprom ishte një përpjekje e qartë për të shfrytëzuar varësinë e Europës nga gazi rus.
“Në vetvete, mbyllja për një kohë të shkurtër e tubacionit nuk do të përbënte ndonjë ndryshim të madh, veçanërisht tani që Rusia ka reduktuar eksportet e saj të gazit përmes NS1 në vetëm 20% të kapacitetit duke filluar që nga 27 korriku,” tha Schmieding.
“Por, kjo nënkupton dy rreziqe serioze: (i) Rusia mund të pretendojë në mënyrë të rreme se nuk mund ta rihapë gazsjellësin më pas për shkak të një ‘defekti teknik’, i cili do të mund të zgjidhej vetëm nëse do të hiqeshin sanksionet perëndimore, dhe (ii) Rusia gjithashtu mund të mbyllë edhe tubacionet e tjera të saj në Europë më vonë,” shtoi ai.
Schmieding tha se çmimet më të larta për furnizimet e reduktuara të gazit do të “përkeqësonin recesionin serioz në të cilin po bie Europa” dhe paralajmëroi se një tjetër rënie e menjëhershme e furnizimeve nga Rusia do të rriste gjasat që Gjermania të përballet me mungesa gjatë dimrit./ CNBC

Burimi