Rumani/ Klima e pasigurt ekonomike po largon nga vendi punëkërkuesit  

Me mbi 10 mijë aplikime të regjistruara që nga 1 shtatori, platforma lokale e rekrutimit eJobs Romania, thotë se deri tani, ky është muaji me më shumë kandidatë që kërkojnë punë jashtë vendit. 
Megjithëse zgjedhja e tyre e parë mbetet një vend pune në Rumani, ose një punë që mund të kryhet në distancë, ofertat nga jashtë po tërheqin gjithnjë e më tepër interes. 
“Gjatë dy viteve të fundit, rumunët nuk ishin të sigurt nëse ishte një ide e mirë që të punonin në një vend tjetër. Gjatë kulmit të pandemisë, ishte më e sigurt që të qëndronin në vend, dhe më vonë, tregu vendas u rimëkëmb me vrull dhe kishin shumë opsione në Rumani. Por tani, mjedisi i pasigurt ekonomik, inflacioni dhe rritja e çmimeve, i kanë bërë kandidatët që të interesohen për oferta pune nga jashtë”, thotë Bogdan Badea, CEO i eJobs Romania. 
Fushat me numrin më të madh të aplikimeve janë transporti dhe logjistika, shitja me pakicë, prodhimi, turizmi, shërbimet, industria ushqimore, ndërtimi dhe bujqësia. 
Për sa i përket nivelit të përvojës së punës që kanë këta punëkërkues, shumica e njerëzve që aplikojnë jashtë, kërkojnë punë të nivelit të mesëm (me 2-5 vjet përvojë) ose të nivelit fillestar (maksimumi 2 vjet përvojë). Më pas vijnë të rinjtë, pa përvojë, dhe vetëm 20% e aplikimeve janë nga specialistë dhe drejtues të lartë. 
“Për sa u përket specialistëve, ne po vëmë re gjithnjë e më shumë situata ku ata aplikojnë për punë jashtë shtetit, por punojnë në distancë dhe kështu mbeten në Rumani. Specialistët e IT-së dhe specialistët e marketingut dixhital, janë rastet më të shpeshta të këtij lloji”, shpjegon Bogdan Badea. 
Gjermania është vendi që zgjidhet nga një e treta e të gjithë atyre që duan të punojnë jashtë shtetit. Më pas vijnë Holanda, Franca, Belgjika dhe Britania e Madhe, ndërsa destinacionet që janë zgjedhur nga rumunët prej kohësh, si Spanja dhe Italia, janë tejkaluar nga vende si Irlanda, Austria, Danimarka dhe Norvegjia. Po rritet edhe popullariteti i Emirateve të Bashkuara Arabe.

Burimi