Samiti i G20 dënon luftën në Ukrainë “me termat më të rëndë”_663a022d7ec75.jpeg

Samiti i G20 dënon luftën në Ukrainë “me termat më të rëndë”

Liderët e vendeve të Grupit 20 (G20) dënuan agresionin e Rusisë në Ukrainë “me termat më të fortë” ditën e mërkurë dhe kërkuan tërheqjen e pakushtëzuar të trupave ruse, në një deklaratë të miratuar në mbyllje të samitit dy-ditor.
Liderët e ekonomive më të mëdha të botës ranë dakord gjithashtu për të trajtuar me kujdes ritmin e rritjes së normave të interesit, në mënyrë që të shmangen efektet domino të këtyre rritjeve. Ata paralajmëruan për një “rritje të paqëndrueshmërisë” në tregjet e këmbimeve valutore, por çështja e Ukrainës ishte tema që dominoi samitin në ishullin indonezian të Balit.
“Shumica e anëtarëve e dënuan më ashpërsi luftën në Ukrainë,” thanë liderët në deklaratën e tyre, duke sinjalizuar kështu se Rusia, e cila është anëtare e G20, e kundërshtoi këtë deklaratë.
Në deklaratë pranohej se “kishte pikëpamje të tjera dhe vlerësime të ndryshme për situatën dhe sanksionet”, por tre diplomatë thanë se ajo u miratua në unanimitet.
Liderët e G20 thanë gjithashtu në deklaratën e tyre se përdorimi ose kërcënimi për përdorimin e armëve bërthamore ishte “i papranueshëm”.
“Është thelbësore që të mbështetemi te ligji ndërkombëtar dhe te sistemi shumëpalësh që siguron paqen dhe stabilitetin. Kjo përfshin mbrojtjen e të gjitha qëllimeve dhe parimeve të mishëruara në Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe respektimin e ligjit humanitar ndërkombëtar,” thanë ata.
Joko Widodo, presidenti i vendit pritës të samitit, Indonezisë, tha se lufta në Ukrainë ishte çështja më e diskutuar.
“Diskutimi për këtë temë ishte shumë, shumë i ashpër dhe vetëm në fund, liderët e G20 ranë dakord për përmbajtjen e deklaratës, e cila ishte dënimi i luftës në Ukrainë, sepse ajo ka sjellë shkeljen e kufijve dhe të integritetit të këtij vendi”, tha ai.
Nëntëmbëdhjetë vendet anëtare të G20, së bashku me Bashkimin Europian, përbëjnë më shumë se 80% të prodhimit të brendshëm bruto të të gjithë botës, 75% të tregtisë ndërkombëtare dhe 60% të popullsisë së saj.
Në deklaratën e tyre, liderët thanë se ekonomia botërore po përballet me “kriza të pashembullta shumëdimensionale”, duke filluar nga lufta në Ukrainë e deri te rritja e inflacionit, e cila ka detyruar shumë banka qendrore që të shtrëngojnë politikat monetare.
Liderët e G20 ripohuan angazhimin e tyre për të shmangur paqëndrueshmërinë e tepërt të kursit të këmbimit, pasi pranuan se “shumë monedha kanë pasur lëvizje të ndjeshme” këtë vit.
Për sa i përket borxhit, ata shprehën shqetësim për situatën “e përkeqësuar” në disa vende me të ardhura të mesme dhe theksuan rëndësinë që të gjithë kreditorët të përballojnë një pjesë të drejtë të barrës./ Reuters

Burimi