Sarandë/ Legalizuan godinën 4-kate me letra false për ish-deputetin, nën hetim ish-drejtoresha e Kadastrës dhe dy specialistë

Ish-drejtoresha e ASHK-së në Sarandë Aida Demi dhe dy specialistë të këtij institucioni, Ermen Stroka dhe Erald Lika akuzohen për shpërdorim detyre. Akuza lidhet në rastin e legalizimit të një godine 4-katëshe në qytetin bregdetar me dokumente të falsifikuara.
Prokuroria e Sarandës njofton këtë të martë se ka mbyllur hetimet disa mujore për personat e sipërpërmendur.
Nën hetim është dhe Gani Hoxha, biznesmen dhe ish-deputet i PD-së, i cili përfitoi pronën.
Masat
Dy specialistët po hetohen nën masën e arrestit shtëpiak, ndërsa ish-drejtoresha nën masën e sigurimit “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”. Nga vendimi i gjykatës dhënë më 13 Maj, siç shpjegon prokuroria, Aida Demi ka përfituar masë më të lehtë për shkak të statusit të saj “nënë me fëmijë nën tre vjeç”.
Masa e sigurisë “arrest në shtëpi” është caktuar edhe ndaj Gani Hoxhës, si personi që sipas hetimeve ka përfituar padrejtësisht nga procedura e legalizimit dhe që dyshohet se ka përdorur dokumente të falsifikuara.
Aida Demi
Tjetërsimi i pronës 
“Nga veprimet e kundërligjshme të specialistëve dhe ish-drejtoreshës së ASHK Sarande, është tjetërsuar pasuria (Truall me sipërfaqe 1000 m2 dhe godine katër kate me sipërfaqe ndërtimi për banim 1359 m2 dhe me sipërfaqe 1056 m2 aktivitet social ekonomik)”, njofton prokuroria.
Sipas të njëjtave burime, kjo godinë disponohej dhe jepej me qira prej vitesh nga pronarët e vërtetë një subjekti të njohur tregtar në të gjithë territorin e vendit i cili ushtronte aktivitet edhe në periudhën kur janë kryer procedurat e legalizimit.
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, po vijon hetimet edhe për fakte të tjera në ngarkim të zyrtarëve lokale të përfshire në paligjshmëri në ushtrim të detyrave shtetërore”, mbyllet njoftimi i akuzës.
Ish-deputeti Gani Hoxha

Burimi