SHBA: Departamenti i Drejtësisë kërkon anulimin e emërimit të ekspertit të posaçëm

Departamenti i Drejtësisë i kërkoi të premten një gjykate federale të apelit të anulojë vendimin e një gjyqtareje për emërimin e një eksperti të posaçëm për të shqyrtuar dokumentet e sekuestruara gjatë një kontrolli të FBI-së në rezidencën e ish-presidentit Donald Trump në Florida.

Apeli është lëvizja e fundit në përpjekjet disa javore mbi kompetencat e ekspertit, i njohur gjithashtu si një gjykatës special. Ai u caktua muajin e kaluar nga një gjykatëse për të inspektuar mijëra të dhëna të marra në kontrollin e 8 gushtit në Mar-a-Lago dhe për të shmangur nga hetimi dokumenta që mund të mbrohen nga pretendimet për privilegj ekzekutiv ose ligjor.

Procesi për ekspertin e posaçëm ka shkaktuar disa vonesa në hetimin e Departamentit të Drejtësisë lidhur me mbajtjen e dokumenteve sekrete në Mar-a-Lago.

Por një pengesë e madhe u eliminua muajin e kaluar kur një Gjykatë Apeli vendosi që Departamenti të rifillonte të shqyrtonte dokumentet e klasifikuara të sekuestruara, një aspekt thelbësor e hetimit të tij penal.

Megjithatë juristët e Departamentit të Drejtësisë u kthyen në gjykatë të premten për të kërkuar ndërprerjen e plotë të shqyrtimit nga eksperti i posaçëm, duke thënë se gjyqtarja që bëri emërimin nuk kishte bazë për ta bërë një gjë të tillë dhe se ish-presidenti Trump nuk kishte të drejtën për një rishikim të pavarur të të dhënave të sekuestruara ose të pretendimit të privilegjit ekzekutiv mbi to.

“Paditësi nuk ka asnjë pretendim të besueshëm për privilegj ekzekutiv për asnjë nga materialet e sekuestruara dhe asnjë pretendim të besueshëm për privilegjin personal avokat-klient për sa i përket të dhënave të sekuestruara të qeverisë – përfshirë të gjitha të dhënat e klasifikuara” sipas përmbledhjes së departamentit.

“Prandaj,” shtojnë ata, “procesi i rishikimit nga eksperti i posaçëm është i pajustifikuar.”/VOA/

Lexo me shume