SHBA “shpall” armiqtë! Strategjia e re e sigurisë kombëtare: Më shumë peshë aleatëve!

Shtetet e Bashkuara publikuan Strategjinë e re të Sigurisë Kombëtare, një pasqyrë e planeve të administratës amerikane për të manovruar mes sfidave të brendshme e atyre të jashtme.

Në dokumentin prej 48 faqesh të kërkuar nga Kongresi, përshkruhet këtë vit doktrina e Presidentit Biden që është njëkohësisht ideologjike dhe pragmatike. Aty shpallen hapur rivalë gjeopolitikë si Kina dhe Rusia si pjesë e këndvështrimit të një bote ku “luftohet mes autokracive dhe demokracive”.
Strategjia thotë se në fillimin e asaj që Presidenti Biden e quan “dekada vendimtare”, ekziston një mundësi e ngushtë për t’u përballur me sfidat e përbashkëta trans-nacionale, madje edhe me rivalitetet e tanishme të fuqive të mëdha, për të përparuar interesat e Shteteve të Bashkuara dhe për ta vendosur botën në rrugëtimin drejt një të ardhmeje më të ndritur.

“Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë nga afër me aleatët dhe partnerët tanë, dhe me të gjithë ata me të cilët kemi interesa të përbashkëta”, shkruan aty Biden. “Ndërsa bota vazhdon të manovrojë mes efekteve të vazhdueshme të pandemisë dhe pasigurisë globale ekonomike, nuk ekziston asnjë vend tjetër më i përgatitur se Shtetet e Bashkuara për të udhëhequr me fuqi dhe qëllime” të qarta, vazhdon ai.
Dokumenti strategjik paraqet një plan treplanësh që administrata e Presidentit Biden ta realizojë këtë objektiv: investimin brenda vendit në industri, novacion, arsim, shëndetësi dhe demokraci; mobilizimin e aleancave dhe koalicioneve për të rritur ndikimin kolektiv dhe për t’u dhënë trajtë rregullave të lojës; si dhe modernizimin dhe forcimin e ushtrisë amerikane.

Top ChannelLexo me shume