SHIFRA E DITËS: 65 për qind më tepër aplikime për azil, shqiptarët kalojnë edhe ukrainasit në luftë

Aranit Muraçi

Largimi masiv i qytetarëve për t’i shpëtuar pasojave të luftës dhe kërkesa për azil në vendet e BE-së mund të justifikohet për ukrainasit, sirianët, afganët apo edhe shtetasit irakianë.  Por nuk ka asnjë justifikim për një vend si Shqipëria, shtetasit e së cilës gjatë verës së fundit kanë vendosur shifra rekord duke kaluar edhe ata të Ukrainës, teksa të dyja vendet ka çelur këtë vit negociatat dhe presin anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Për periudhën janar- gusht 2022 janë regjistruar gjithsej 6,860 aplikime për azil në BE nga shtetasit shqiptarë, një rritje prej 68% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Janë të dhënat e Eurostat, të cilat tregojnë se në raport me 2019-n, kur bota u fut në periudhën e pandemisë dhe lëvizjet u kufizuan, aplikimet mbeten 41% më të ulëta. Shtetet me aplikimet më të larta mbeten Franca (46%) për 8-mujorin e parë të këtij viti dhe Gjermania (12%). Edhe pse jo në luftë, shqiptarët përbëjnë numrin më të lartë të kërkesave për azil në vendet e BE-së, duke regjistruar shifra rekord edhe në krahasim me Ukrainën që është në luftë.

Të dhënat e Eurostat tregojnë se në gusht aplikimet për azil nga shqiptarët ishin gati 1.100, ndërsa të Ukrainës në korrik (e dhëna e fundit e disponueshme) ishin 950. Krahasimi është edhe më dramatik se kaq (Ukraina ka një popullsi prej 43 milionë banorësh, Shqipëria rreth 2.8 milionë banorë).

Sipas të dhënave të Eurostat 66.545 aplikime u regjistruan në korrik të vitit për azil, për herë të parë (shtetas jo të BE-së), ose 265 persona më shumë se në qershor 2022. Krahasuar me korrikun e vitit 2021 (44,760), ka pasur një rritje prej 49% në numrin e përgjithshëm të kërkesave.

Në korrik 2022 kishte edhe 5,860 riaplikime për azil, pasi ishte marrë një vendim për një kërkesë të mëparshme, një rënie prej 7% krahasuar me qershorin 2022 dhe një rritje 2% krahasuar me korrikun 2021.

Në korrik 2022, sirianët ishin grupi më i madh i personave që kërkonin azil (9 010 aplikantë për herë të parë), të cilët pasoheshin nga afganët (8 150), të ndjekur nga venezuelianët (3 665), pakistanezët (3 555) dhe kolumbianët (3 505).

Në mars 2022 pati një rritje të madhe të azilkërkuesve ukrainas për shkak të luftës (nga 2 370 në shkurt në 12 890 në mars). Me kalimin e muajve, shifrat kanë ardhur duke u zvogëluar, 1.510 në prill, 1.295 në maj, 975 në qershor dhe 950 në korrik 2022.

Me 14.095 aplikime të regjistruara për herë të parë në korrik 2022, Gjermania mbetet shteti anëtar që raporton numrin më të madh të aplikantëve për azil në BE. Gjermania pasohet nga vendet e tjera të mëdha të Bashkimit Europian: Franca (10.890) dhe Austria (10 625), Spanja (8 745) dhe Italia (5 105).

Ky nuk është një fenomen i panjohur. Numri më i lartë i azilkërkuesve në vendet e BE-së, për vitin 2015, vinte nga Siria nga ku numëroheshin rreth 363 mijë azilkërkues. Pas Sirisë renditej Afganistani me rreth 178 mije azilkërkues dhe Iraku me rreth 121 mije azilkërkues.

Interesant është fakti që në listën e vendeve azilkërkuese Kosova dhe Shqipëria renditeshin përkatësisht në vend të katërt dhe të pestë, në vitin 2015, pas tre vendeve aziatike që ishin përfshirë në luftë.

Sipas shifrave zyrtare, në këtë situatë, a janë shqiptarët në gjendje lufte?! /Liberale.al/

Lexo me shume