Shije Shtëpie – Emisioni 28 Tetor 2022

Të ftuar:

Dr. Xhulia Xhaja Mehaj – specialiste e çrregullimeve të neurozhvillimit, logopede

Ina Xhafa – psikologe

Klaudia Duro – akrobate

Gazetare: Ermelinda Ndoja

#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.

2 receta nga Znj.Vjollca

Tavë me mëlçi dhe qepë të njoma

1 kg mëlçi viçi

600 gr qepë të njoma

2 speca të kuq

3 kokrra domate

1 filxhan kafeje oriz

Kripë, piper i zi

Narden

Vaj ulliri

Majdanoz

Fillimisht vendosim mëlçinë e viçit të ziejë për 5 minuta. Më pas e presim në copa jo shumë të vogla. Qepët i presim hollë në gjatësi 1 cm dhe i kaurdisim me vaj ulliri. Më pas shtojmë specin të prerë hollë dhe domatet e prera në kubikë të vegjël (pa lëkurë). Shtojmë më pas majdanozin e grirë imët, kripën, piperin dhe nardenin. E lemë gatimin pak në zjarr, gati 10 minuta, sa përbërësit të lidhen me njëri-tjetrin.

Në një tavë hedhim orizin, më pas copat e mëlçisë. Sipër tyre vendosim masën e përgatitur me qepë dhe domate. Shtojmë dhe një gotë me ujë të nxehtë dhe e vendosim tavën në furrë për rreth 30 min, të mbuluar me letër alumini për 20 minuta. Më pas heqim letrën, e lëmë për 10 minuta dhe receta është gati.

Për një mëngjes të shijshëm, role me sfoljat dhe kremviçe me djathë

1 petë sfoljat

120 gr djathë me feta (9 copë)

6 copë kremviçe

1 spec jeshil

4-5 domate qershi

100 gr djathë pice i grirë

1 të verdhë veze

1 lugë gjellë parmixhan i grirë

Hapim në tryezë 1 petë sfoljat. Vendosim mbi gjithë sipërfaqen e petës fetat e djathit, e më pas vendosim në distancë të barabartë nga njëra tjetra. 3 radhë me kremviçe duke përdorur 2 kremviçe për çdo radhë.

Presim specin në kubikë të vegjël dhe domatet në 4 e më pas i shpërndajmë në hapësirat boshe vetëm me peta.

Shpërndajmë djathin e picës në të gjithë sipërfaqen, e më pas mbledhim petë role duke mbyllur mirë pjesët e rolesë.

Lyejmë sipërfaqen e rolesë me të verdhën e vezës. E spërkasim me 1 lugë gjelle parmixhan të grirë dhe më pas e vendosim tepsinë në furrë të parangrohur në temperaturën 190 gradë për 25 min.

Çfarë të zgjedhim për fëmijën, çerdhe, gjyshe apo dado?

Në çfarë moshe duhet ta çojmë fëmijën në çerdhe?

“Djali u sëmur me li”, akrobatja tregon ngjarjen e habitshme: Prindërit më kërkuan ta çoja në çerdhe

Akrobatja Klaudia Duro prek një pjesë të rëndësishme të zhvillimit fizik të fëmijës gjatë diskutimit në programin “Shije Shtëpie”. Ajo thotë se përveç mbrojtjes së imunitetit që është e rëndësishme, po kaq është edhe forcimi i tij. Ndonëse shpesh fëmijët sëmuren gjatë frekuentimit të kopshteve dhe çerdheve, ndarja e ambientit të përbashkët dhe jo steril, me fëmijë të tjerë ndikon në shëndetin e tyre.

Klaudia Duro: Gjithmonë fëmijët kur shkojnë në çerdhe, 3 ditë në shtëpi, 4 ditë në çerdhe, është më mirë në shtëpi, mendoj unë, se sa të rrijë fëmija i mbyllur në ambientin e pastër që kemi në shtëpi. Unë do të them një rast, mund të jetë pak për të qeshur. Darli, nuk e di  se ku e mori linë, kështu i themi, dhe unë shkruajta te grupi i prindërve që kemi të çerdhes, shikoni, Darli  është  me  li, nëse fëmijët tuaj  kanë puçra të vogla, mos i lani sepse kështu është. Dhe prindërit që më shkruajnë, “të lutem a mund ta sjellësh Darlin në çerdhe që fëmija im ta marrë linë tani që është i vogël dhe ta kalojë?” Pastaj u zgjat historia se e kishte marrë një vajzë tjetër 5 vjeç, ajo ia kishte transmetuar babait të saj që ishte 40 dhe ai e kishte  kaluar shumë rëndë, por shiko sa mirë është që fëmijët të përballen sepse fëmija kur lind,  lind me imunitet standard dhe gjatë viteve të jetës , ai përballet me ambiente të ndryshme, me viroza.

“E kam mbajtur në një glob xhami”, psikologia flet për djalin: 6 muajt e parë nuk e ka puthur njeri

Muajt e parë të jetës së një foshnjeje janë më të rëndësishmit për t’i siguruar një bazë të fortë imuniteti. Gjatë këtij diskutimi në “Shije Shtëpie” në Tv Klan, psikologia Ina Xhafa thotë se me djalin e saj, Noah, është treguar shumë mbrojtëse.  Në 6-mujorin e parë të tij, ajo nuk ka lejuar askënd t’i afrohet e ta puthë përveç saj dhe bashkëshortit.

Ina Xhafa: Noah është fëmijë që është mbajtur, unë e kam mbajtur pothuajse si në glob xhami 6-mujorin e parë sepse është shumë e rëndësishme që të jetë vërtet i mbrojtur. 6 muajt e parë nuk e ka  puthur absolutisht asnjë njeri tjetër Noah-n tim përveç meje dhe tim shoqi. Dija shumë raste të fëmijëve që kanë vdekur nga herpesi i thjeshtë, është një informacion që ne nuk e shpërndajmë fort dhe isha e tmerruar sepse i dija nga afër, por pastaj e kam lënë vërtet super të lirë.

Filloi 6-muajsh që kishte këto zvarritjet dhe një moment, isha duke larë enët në kuzhinë, kthej kokën sepse po e dëgjoja, shumë  qetësi.

Katerina Trungu: Aty, frika e mamave, kur ka qetësi.

Ina Xhafa: Kthej kokën dhe e shoh Noah-n, kishte filluar bënte zvarritje vetëm për mbrapsht, nuk ishte mësuar për para.  Ishte futur poshtë divanit, kishte arritur cepin e tapetit dhe po e hante. I thashë tim shoqi, urime, ia dolëm që të arrijmë këtë stad me fëmijën e parë.

Përshtatja e fëmijës me çerdhen?


Lexo me shume