Shitja e biletave online për muzetë dhe parqet u rrit me 2.5 herë_663a516c60cbb.jpeg

Shitja e biletave online për muzetë dhe parqet u rrit me 2.5 herë

Interesi për të vizituar muzetë dhe parqet arkeologjikë regjistroi rritje të numrit biletave të prera online. Ana Murati, nga My Ticket, në një intervistë për “Monitor” shprehet se kjo rritje ka qenë e qëndrueshme nga viti në vit dhe e lidhur drejtpërdrejt me ecurinë e përgjithshme të sektorit të turizmit.
Blerësit kryesorë të biletave online duket se janë tur-operatorët, që përmes sigurimit të një sasie të konsiderueshme, arrijnë të marrin çmime më preferenciale por edhe lehtësinë e aksesit gjatë hyrjes ku grupeve nuk u duhet të presin në radhë.
Ju keni në faqen tuaj si mundësi blerjen e biletave online për institucione kulturore, si parqe arkeologjike apo muze. Si fillim, janë këto institucione që vijnë te ju apo shkoni ju tek ato, për të ofruar këtë mundësi mbi shitjen e biletave?
Platforma e biletarisë online myticket.al ka rreth 8 vite në treg, me fokusin për të qenë pika lidhëse për blerjen e biletave online për Site të Trashëgimisë Kulturore, koncerteve, festivaleve, konferencave.
Çdokush që organizon evente dhe ka nevojë të menaxhojë biletat në salla të mëdha si Pallati i Kongreseve, Amfiteatri pranë Liqenit të Tiranës, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit etj., apo evente në mjedise të hapur – myticket.a ju vjen në ndihmë.
Sa institucione kulturore keni si pjesë të platformës suaj për shitjen e biletave online sot?
Lidhur me projektin e siteve të Trashëgimisë Kulturore, ne aktualisht shesim bileta online për:
Muzeu Kombëtar Ikonografik, “Onufri”
Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Krujë
Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”
Parku Kombëtar i Butrintit
Ky projekt është në bashkëpunim me Ministrinë përgjegjëse për kulturën.
Shërbimi i biletarisë online për Sitet e Trashëgimisë Kulturore ofrohet prej disa vitesh si shërbim nga myticket.al, dhe çdo vit ka pasur rritje të ndjeshme të përdorimit.
Cilët blejnë më shumë bileta online për këto institucione, të huajt apo shqiptarët, individë apo grupe dhe si ka qenë ecuria e rezervimeve nga viti në vit në këndvështrimin tuaj, duke qenë se në total turizmi ka shënuar rritje?
Ka blerës të huaj dhe shqiptarë, mirëpo më tepër blejnë operatorët turistikë, të cilët kanë vazhdimisht grupe që vizitojnë Shqipërinë.
Ministria e Kulturës ka ndikuar fort në këtë sektor, duke ofruar shitjen e biletave online me çmime më të lira se në sportelet fizike.
Në këtë mënyrë, të gjithë kanë një platformë ku mund të shikojnë oraret e vizitueshmërisë, ditët kur muzetë kombëtarë dhe parqet arkeologjike janë të mbyllura, çmimet e biletave, pak informacion për çdo site etj.
Përmes blerjes online të biletave, të gjithë kanë mundësi të planifikojnë vizitat, duke shmangur radhën në sportele fizike, duke kursyer në çmimin e biletave, si dhe duke shmangur verifikimin fizik nga stafi në hyrje, duke bërë validimin e biletës vetë në pajisjet e kontrollit në hyrje të çdo site.
Biletat vlejnë si të printuara, por edhe në format PDF, pasi pajisjet arrijnë të verifikojnë edhe nga telefoni nëse bileta është e vlefshme për hyrje apo jo. Shmanget printimi, për rrjedhojë e natyra na falënderon.
Cilat janë institucionet për të cilat ka më shumë interes (tre të parët)?
Të renditura sipas numrit të biletave të shitura gjatë 2023:
Parku Kombëtar i Butrintit
Parku Arkeologjik i Apolonisë
Muzeu “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Krujë
Renditja është e njëjtë edhe për vitin 2022. Gjatë vitit 2023 shitjet u rritën me 2.5 herë (250%) krahasuar me vitin 2022./ Monitor

Burimi