Shpresat dhe pikëpyetjet që ngriti samiti i parë i Komunitetit Politik Evropian

Nga Marc Pierini “Carnegie Europe

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Arritja e parë e dukshme e samitit të 6-7 tetorit në Pragë, është thjesht fakti që ai u mbajt. Kur ideja e një Komuniteti Politik Evropian u hodh më 9 maj të këtij viti nga presidenti francez Emmanuel Macron, koncepti kishte një diapazon shumë të gjerë:“Kjo organizatë e re evropiane do t’u japë mundësi vendeve demokratike evropiane që pajtohen me vlerat tona thelbësore të përbashkëta, që të gjejnë një hapësirë ​​të re bashkëpunimi politik dhe në fushën e sigurisë, bashkëpunimin në sektorin e energjisë, transport, investime, infrastrukturën, lëvizjen e lirë të njerëzve dhe në veçanti të rinisë sonë”.

Megjithatë, ai u prit me jo pak mosbesim nga shumë njerëz, me një farë hezitimi nga të tjerët, dhe nga një kundërshtim serioz për disa nga pikat kyçe. Por në fund, udhëheqësit e 44 vendeve, nga Armenia në Islandë, dhe nga Malta në Norvegji, ishin të pranishëm në tryezë, përfshirë presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky në një lidhje video.

Në kushtet kur kontinenti evropian po kalon momentet e tij më të errëta prej një kohë shumë të gjatë, rezistenca e palëkundur ndaj pushtimit rus të Ukrainës, ishte një mesazh i fortë për Kremlinin. Mesazhi do të kishte qenë edhe më i fortë, nëse samiti do të përfundonte me një sërë përfundimesh të dakordësuara, por kjo gjë u konsiderua si e paarritshme.

Gjithsesi samiti u mbajt dhe kjo ishte një shenjë pozitive në një kohë lufte dhe plote me dyshime, kryesisht për meritë të Republikës Çeke, e cila drejton presidencën e radhës së Këshillit të BE-së si dhe të Francës. Në kuadër të samitit, u zhvillua një takim katërpalësh midis presidentëve të Azerbajxhanit, Francës dhe Këshillit Evropian dhe kryeministrit të Armenisë. Ai takim prodhoi njëfarë progresi midis dy vendeve të Kaukazit Jugor.

Arritja e dytë e dukshme, është se Praga dëshmoi një rikthim modest të Britanisë në një forum kontinental, duke eliminuar kësisoj ndjenjat shqetësuese të distancimit pas Brexit

nga diskutimet gjeopolitike në mbarë Evropën.

Ishte mjaft Interesante edhe deklarata e kryeministres britanike Liz Truss:“Brexit nuk kishte të bënte asnjëherë me largimin e Mbretërisë së Bashkuar nga roli ynë krenar dhe historik si një komb udhëheqës në rajon dhe më gjerë. Ne kemi besuar gjithmonë, se do të gjejmë mënyra të reja bashkëpunimi, që pasqyrojnë vlerat dhe interesat tona të përbashkëta”.

Tek e fundit, samiti rezultoi të ishte një nga këto “mënyra të reja”, dhe madje Britania mori premtimin për të pritur një nga samitet e ardhshme të këtij forumi. Një shenjë tjetër e ngrohjes së marrëdhënieve BE-Britani, ishte fakti që anëtarët e Bashkëpunimit të Strukturuar të Përhershëm të BE-së (PESCO) – një iniciativë e mbrojtjes e BE-së që drejton 60 projekte, me pjesëmarrjen e vendeve të treta si Kanadaja, Norvegjia dhe Shtetet e Bashkuara – votuan unanimisht më 6 tetor për ta ftuar Britaninë e Madhe t’i bashkohet projektit të lëvizshmërisë ushtarake. Përveç kësaj, u njoftua se një samit britaniko-francez do të mbahet vitin e ardhshëm.

Së treti, Samiti i Pragës nuk ishte një mbledhje e vendeve demokratike. Nuk është sekret që këmbëngulja e Francës për të diskutuar mbi demokracinë dhe shtetin e së drejtës, binte dukshëm në kontrast me praninë e Azerbajxhanit, Serbisë dhe Turqisë në atë sallë.

Pra real-politika dhe “diplomacia e bashkimit”, kishin përparësi ndaj vlerave dhe parimeve evropiane. Kjo kthesë e ngjarjeve, e zhvlerëson në mënyrë të pashmangshme mesazhin për Rusinë, dhe ç’është më e rëndësishmja, vë në pikëpyetje qëndrueshmërinë afatmesme

dhe afatgjatë të këtij forumi.

Do të ishte shumë e rrezikshme nëse Komuniteti Politik Evropian do të bënte pjesë të gjithë kontinentin, me emëruesin më të vogël të përbashkët demokratik. Në këtë fushë, neglizhenca “dashamirëse” nuk është një opsion për BE-në, dhe mbajtja hapur e kanaleve të komunikimit me Rusinë, nuk nënkupton një shkelje kolektive të vlerave dhe parimeve evropiane.

Por problemi është se samiti i Pragës nuk ishte “një krijesë e BE-së”, siç u shpreh edhe kryeministrja britanike Liz Truss, edhe pse Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel i dha samitit njëfarë publiciteti të unionit. Dhe aq më pak kishte të bënte me zgjerimin e BE-së.

Duke pasur parasysh diversitetin e situatave midis vendeve jo anëtare të BE-së, përfundimi i samitit me disa dyshime mbi zgjerimin e BE-së ishte i pashmangshëm, siç u pa dhe nga deklarata e kryeministrit shqiptar Edi Rama.

Disa vende janë me dashjen e tyre jo anëtare të BE-së (Norvegjia, Zvicra). Një vend anëtar sapo ka dalë nga klubi (Britania e Madhe), disa kanë filluar negociatat e anëtarësimit, por janë aktualisht në një ngërç për një kohë të pacaktuar (Turqia). Të tjerët janë në faza të ndryshme të procesit të anëtarësimit (Ballkani Perëndimor), ndërsa të tjerët akoma sapo

kanë fituar statusin e vendit kandidat (Moldavia dhe Ukraina).

Thënë këtë, samiti përfundoi duke lënë pas disa pyetje të hapura:Cila është e ardhmja e politikës së zgjerimit të BE-së? A ekziston ende ajo? A ka ajo nevojë për reformim? A do të ndahen disa nga 17 vendet jashtë BE-së në kategori të ndryshme në lidhje me anëtarësimin? Po afron një debat shumë i gjatë.

Së fundi, samiti nuk ishte një forum sigurie për të gjithë kontinentin. Pavarësisht se u nxit nga pushtimi rus i Ukrainës dhe motivimi politik për të treguar një vendosmëri të përbashkët kundër Moskës, domethënia e samitit sa i përket sigurisë kolektive ishte i kufizuar për dy arsye kryesore.

Nga njëra anë, disa vende pjesëmarrëse (Azerbajxhani, Hungaria, Serbia, Turqia) janë të prirura të ruajnë marrëdhëniet e tyre të ngushta me Moskën. Nga ana tjetër, asnjë diskutim kontinental mbi sigurinë kolektive, nuk mund të zhvillohet në mungesë të Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s. Për më tepër rifillimi i një diskutimi për sigurinë me Rusinë

është i paimagjinueshëm në rrethanat aktuale.

Lexo me shume