Shqiptarët, të stresuarit e Ballkanit/ Sondazhi: Shkak varfëria, papunësia dhe pasiguria për të ardhmen

Kompania amerikane Gallup ka realizuar së fundi një sondazh, dhe ka arritur në përfundimin, se shqiptarët janë më të stresuarit në Ballkan.

Ata përjetojnë më tepër emocione negative sesa pozitive. Përjetojnë zemërim, stres, trishtim dhe dhimbje.
 “Janë një sërë faktorësh që kanë çuar në shtimin e stresit, gjë që e vërejmë në përditshmërinë tonë si profesionistë të shëndetit mendor. Faktor kryesor janë gjendja ekonomike dhe sociale, por jemi edhe dëshmitarë të faktit që shumë familje po përcjellin fëmijët e tyre jashtë për të ardhura dhe jetë më të mirë. Për të shkuar më tej në raporte të cilat në përditshmëri janë të qenësishme, marrëdhëniet në vendin e punës, ku drejtues apo kolegë bëhen shkaktarët të stresit”, tha Arjana Reli, mjeke psikiatre.

Stresi tani nuk ka moshë. Kolegë që trajtojnë fëmijë dhe të rinj tregojnë se stresi fillon që herët.
“Ne shqiptarëve na stresojnë çmimet që janë rritur shumë, ekonomia ka rënë përtokë, për të rinjtë nuk ka punë. Aq të dëshpëruar janë sa ikin më gomone, duke vënë në rrezik të madh jetën.”
“Ata që e meritojnë nuk vlerësohen sipas punës. Pagat nuk po I përgjigjen kostove të jetesës.”
“Në Shqipëri të gjitha janë anormale, asgjë nuk është normale, ndaj po ikin shqiptarët. Tepër e rëndë ta thuash këtë fjalë, por Shqipëria ka marrë fund. Politika është fajtorja”, thonë qytetarët.
Stresi është pasoja, por shkaqet që të çojnë drejt tij janë të shumta në vendin tonë, duke filluar nga papunësia, çmimet e larta, ekonomia e dobët, pasiguria për të ardhmen e fëmijëve dhe pasiguria për rendin.
Të gjitha këto çojnë në demoralizim, kur shikon një kastë politikë që vetëm vjedh, dhe njerëzit që vetëm vidhen prej saj.
 

Top ChannelLexo me shume