Shtëpi, makina që përdorte modelja dhe një orë “Rolex”, sekuestrohen pasuritë e Redjan Rrajës, nipit të deputetit të PS-së

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka sekuestruar pasuritë e Redjan Rrajës, nipi i deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja, duke përsëritur të njëjtin njoftim të nëntorit 2021. Pasuritë e sekuestruara përfshjnë apartamente, një makinë, një orë dhe disa para cash. Rraja është dënuar me 8 muaj burg nga Gjykata e Tiranës, pasi u akuzua për “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” në vrasjen e mikut të tij, Elton Çiço, më 1 maj 2016. Gjykata akuzoi Redjan Rrajën se kishte treguar veprimet e viktimës në shoqërinë e tij, para se ai të qëllohej për vdekje, në një lokal në zonën e ish-Bllokut, në Tiranë. Rraja ka qenë i ulur në tavolinë me Çiçon, kur ky i fundit është qëlluar me breshëri plumbash, duke mbetur i vdekur në vend.

Emri i Redjan Rrajës doli edhe në ngjarjen e dhunës së ushtruar ndaj Xhisiela Malokut. Ishte ish-oficeri i Fushë Krujës, Emiljano Nuhu, që kallëzoi në komisariatin numër 6, në Tiranë, se është kërcënuar nga Redjan dhe Ramazan Rraja, për çështjen “Xhisiela”. Rraja ishte i lidhur me modelen Kejvin Kthella, e cila kishte në përdorim makinën me vlerë rreth 30 mijë euro që është sekuestruar.

Redjan Rraja dhe Kejvina Kthella

Njoftim për shtyp

Në funksion të hetimeve të këtij procedimi pasuror janë kryer shumë veprime hetimore dhe në përfundim të tyre sot në datën 13.10.2022 Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ju drejtua Gjykatës me kërkesën për konfiskim të pasurive si më poshtë:

Pasuria apartament, me sip 76 m2 (Tiranë), regjistruar në emër të shtetasit R. Rraja.

Pasuria, me sip 30 m2, njësi (Tiranë), regjistruar në emër të shtetasit R. Rraja.

Pasuria njësi me sip 127.5 m2 (Tiranë), e regjistruar në emër të shtetases M. Ç. por që është në zotërim të tërthortë nga shtetasi R. Rraja.

Pasuria garazh me sip totale 18.09 m2 (Tiranë), regjistruar në emër të shtetases M. Ç. por që është në zotërim të tërthortë nga shtetasi R. Rraja.

Pasuria garazh me sip totale 18.09 m2 (Tiranë), regjistruar në emër të shtetases M. Ç. por që gjendet në zotërim të tërthortë të shtetasit R. Rraja.

Automjeti me ngjyrë gri të tipit Audi, A8, sekuestruar shtetases K. K. por që është në zotërim të tërthortë të shtetasit R. Rraja.

Automjeti me targë Audi A8, regjistruar në emër të R. Rraja.

Një orë dore Roleks.

Shuma prej 2750 Euro.

Këto pasuri janë sekuestruar me vendimin nr.22 datë 23.10.2021 të Gjykatës së Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Lexo me shume