Sot finalja e Kupës, Egnatia dhe Kukësi përplasin brirët për trofeun_6643637ee21c5.jpeg

Sot finalja e Kupës, Egnatia dhe Kukësi përplasin brirët për trofeun

Kukësi dhe Egnatia do të diskutojnë mbrëmjen e kësaj të marte trofeun e Kupës së Shqipërisë. Rrogozhinasit, fitues në fuqi të trofeut, por dhe kryesues të kampionatit, do të ndeshen me surprizën e këtij edicioni në këtë kompeticion.
Verilindorët, që pas 36 javësh u pozicionuan në vendin e fundit dhe edicionin e ardhshëm do të luajnë në Kategorinë e Parë kanë mundësinë për të mbyllur sezonin me trofe, por dhe për të marrë një biletë për në Kupat e Europës.
Skuadrës së Bledar Devollit nuk i mungon eksperienca, pasi kjo është hera e pestë që arrin në finalen e Kupës së Shqipërisë. Në dy raste kuksianët e kanë ngritur lart trofeun. Egnatia në krahun tjetër numëron vetëm suksesin e vitit të shkuar.
Për Kukësin, Egnatia ka qenë “macja e zezë” këtë edicion, pasi në katër ndeshjet e kampionatit të besuarit e Edlir Tetovës kanë marrë maksimumin e pikëve. Plot 11 gola të shënuar për rrogozhinasit dhe vetëm dy për verilindorët, të cilët duan të fitojnë ndeshjen që vlen më tepër se takimet e kampionatit për ta.
Egnatia në rrugën e saj ka eliminuar Vllazninë dhe Laçin, ndërsa në krahun tjetër Kukësi ka larguar nga gara dy ekipet e kryeqytetit, Partizanin dhe Tiranën. Pa dyshim një surprizë arritja deri në finale për Kukësin, që ndonëse në kampionat u dorëzua pa kushte, në Kupë është vetëm 1 ndeshje larg trofeut dhe Europës.
Rrogozhinasit nuk kanë asgjë të sigurt në kampionat dhe ndaj duan me patjetër që të marrin Kupën, që së paku një trofe ta çojnë në shtëpi. Ndaj verilindorëve pa dyshim futen në fushë me petkun e favoritit, por në një ndeshje të vetme gjithçka mund të ndodhë.

Burimi