Sot nis viti i ri akademik, pedagogët nuk tërhiqen nga bojkotimi deri në plotësimin e kërkesave

Sot nis viti i ri akademik 2022-2023 në të gjithë vendin. Ndërsa e pazakonte qëndron situata kur këtë vit kemi pedagogët që do të bojkotojnë mësimin. Teksa ndodhen në protestë ndaj kushteve ku punojnë dhe pagave që marrin, pedagogët do të lejojnë vetëm studentët e viteve të para të futen auditorë për tu mësuar me ambientin e ri, por mësimi nuk do të nisë.

Kryetari i Sindikatës së Pedagogëve, Sandër Kovaçi tha dje se janë vënë në dijeni në rrugë shkresore dhe publike, institucionet përkatëse për protestën, po ashtu rektorët. Ndërsa në rrethe Report tv mëson se deri më tani nuk ka pasur lajmërime për bojkot të mësimit nga ana e pedagogëve.

Pedagogët kanë bërë një listë me 9 kërkesa për të cilën thonë se afati për të negociuar tashmë ka kaluar. një nga pikat që këmbëngulin më tepër është rritja e pagës me 30% këtë vit dhe 20% vitin tjetër.

Kjo e ditës së sotme do të jetë protesta e katërt e pedagogëve për një trajtim dinjitoz. Ata nuk mjaftohen me rritjen e papërfillshme prej 7% nga buxheti i shtetit, teksa shtojnë se pjesën tjetër, 8% nga ana e universiteteve buxheti i të cilave varet në masë dërrmuese nga tarifat e studentëve, nuk e konsiderojnë. Në krah të tyre kanë tanimë edhe studentët, të cilët janë shprehur hapur pro kauzës së tyre, në pritje të një përgjigjeje që nuk erdhi kurrë nga qeveria për një mbështetje prej 100 eurosh për çdo student. Ndërsa dekanëve, përmes një kërkese të nisur pas protestës së të premtes së javës që shkoi (faksimile përbri shkrimit) iu është kërkuar të qëndrojnë në krahun e atyre që i kanë zgjedhur, pra, pedagogët.

Në të gjitha daljet dhe komunikimet, si në tryezat e bisedimeve, ashtu edhe në ato publike, ministrja e Arsimit insiston për dialog. Të shtunën, nga Universiteti i Sporteve, kërkoi mirëkuptimin e pedagogëve për situatën e krizës, në të cilën ndodhet vendi, sikundër shumë shtete të tjera.

“Ky vit i ri akademik përkon me një situatë të vështirë, kur e gjithë bota, përfshirë edhe Shqipërinë, po vuan pasojat e një krize të shkaktuar nga lufta në Ukrainë. Shpeshherë kemi debate me njëri-tjetrin. Shpeshherë kemi mosdakordësi. Por në vend që të konfrontohemi, unë besoj që zgjidhja më e mirë është që ne të ulemi bashkërisht, pikërisht me frymë konstruktive me frymë dialogu me frymë ndershmërie, dhe duke mirëkuptuar njëri-tjetrin. Duke mirëkuptuar kushtet reale dhe burimet që kemi në dispozicion”, shprehet ministrja duke lënë të nënkuptohen burimet e pakta financiare për shtesën që kërkojnë pedagogët. Të njëjtën gjë deklaroi edhe dje, në urimin për vitin e ri akademik ku veçse numëron nismat e ndërmarra nga qeveria, por jo atë që kërkohet.

“Qeveria shqiptare ka ndërmarrë një sërë masash për të mbështetur çdo familje, përfshirë edhe familjet tuaja, për të zbutur sa më shumë efektet e krizës së çmimeve. Por mbështetja jonë për ju nuk ndalet këtu. Këtë vit kemi ofruar përjashtim nga tarifat dhe bursa mujore me vlerë sa paga minimale për studentët që zgjedhin programet prioritare, ata që kanë rezultate të shkëlqyera, si dhe studentët fitues në olimpiada ndërkombëtare. Ndërkohë, po vazhdojmë pa u ndalur punën dhe investimet për përmirësimin e kushteve”, shkruan Kushi. Dy fjalë iu dedikoi edhe pedagogëve, ish-kolegë të saj dikur, të cilëve u shpreh mirënjohje e besim për të rritur përpjekjet për të bërë më të mirën, për studentët, për vendin.

Studentët: Përkrahim protestën e pedagogëve

Gjashtë organizata studentore me përfaqësues nga universitete të ndryshme nga e gjithë Shqipëria kanë shprehur hapur mbështetjen për protestën e pedagogëve. Përmes një letre drejtuar ministres së Arsimit, Evis Kushi, dhe ku vënë në dijeni ministren e Shtetit dhe atë të Financave, studentët artikuluan tri kërkesat e tyre. Të gjitha me karakter ekonomik që kërkojnë me patjetër përfshirjen e shtetit.

“Në vijim të shqetësimeve të vazhdueshme të shprehura, ashtu si dhe të diskutuara në këtë takim, vendosëm të drejtojmë këtë kërkesë Ministrisë së Arsimit dhe institucioneve shtetërore përgjegjëse, duke konkluduar në këto pika: Rritje e mbështetjes ndaj sistemit të Arsimit të Lartë, duke rritur përqindjen e dedikuar për arsimin në buxhetin e shtetit në normën 4%; Ulje e tarifës së studimit për të gjithë nivelet e studimit duke indeksuar tarifat në nivelin 2-fish (dyfish) të normës aktuale të inflacionit;

Mbështetje për kostot e akomodimit dhe artikujt shkencorë/libra shkollorë duke bërë funksionale uljet prej minimalisht 20% nëpërmjet Kartës së Studentit, si dhe ofrimin e shërbimit dhe aksesit në Bibliotekës Online”, citohet në letrën kërkesë drejtuar dikasterit të Arsimit, në të cilin që në krye të herës shprehet qartë mbështetja për kërkesat e pedagogëve, të cilat konsiderohen jo vetëm të drejta, por në shërbim të përmirësimit të cilësisë së arsimit në vend.

Lexo me shume