Sulmet kibernetike, debate të forta në Komisionin e Sigurisë, çfarë ndodhi në mbledhjen me dyer të mbyllura

Komisioni i Sigurisë Kombëtare u mblodh sot për të dëgjuar drejtëoreshën e Agjencisë Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karcanaj, të raportonte mbi sulmet kibernetike ndaj institucioneve shtetërore si dhe në sistemin TIMS.

Mbledhja u mbajt me dyer të mbyllura me kërkesë të Karaçajt, pasi sipas saj informacioni që do të jepte ishte tejet i klasifikuar.

Kjo deklaratë e Karcanajt ka sjellë dhe debat mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës.

Deputeti demokrat Ferdinand Xhaferaj u shpreh se hakeri më i rrezikshëm është korrupsioni, pasi sipas tij ishin mangësitë në sistem që ju krijuan mundësinë hakerave iranianë të depërtonin në sistemet tona dixhitale.

“Të falenderoj kryetar, ne jemi një grup deputetësh që e kemi parë të arsyeshme këtë seancë dëgjimore. Drejtoresha e AKSHI e sheh të arsyeshme të bëhet me dyer të mbyllura. Ne si deputetë e kemi kërkuar këtë seancë se pavarësisht se siguria kombëtare u cënua nga hakerat iranianë, hakeri më i rrezikshëm që është vazhdimisht cënues i sigurisë kombëtare, është korrupsioni dhe kemi të gjithë argumentet për ta provuar edhe këtë. Pra, ishin mangësitë e lëna në sistem nga korrupsioni që çuan hakerat iraninë në sistemin tonë”, u shpreh Xhaferaj.

Mes debateve të shumta, deputeti Xhaferaj është larguar nga mbledhja. Pasi ai u largua debatet kanë vijuar edhe më të forta, ndërsa nuk janë bërë ende të ditura detaje për raportimin e Karacanajt.

Kujtojmë se deputetëve iu kërkua nga kryetari i Komisionit, Nasip Naço, që të dorëzonin celularët për të shmangur daljen e informacionit jashtë mbledhjes. /abcnews.al

 

Lexo me shume