Sulmohet një kamp ushtarësh vullnetarë në Rusi, 11 viktima

11 persona humbën jetën të shtunën në një sulm në një kamp stërvitor ushtarak rus në Belgorod në kufi me Ukrainën. 2 persona hapën zjarr ndaj një grupi që kishte dalë vullnetar për të luftuar në Ukrainë.

“Sulmuesit ishin me origjinë nga një ish-republikë sovjetike”, – tha ministria ruse e mbrojtjes, por nuk dha detaje të mëtejshme. Ata u qëlluan për vdekje gjatë incidentit. 15 persona të tjerë u plagosën.

“Gjatë një sesioni stërvitor me armë zjarri me individë që shprehën vullnetarisht dëshirën për të marrë pjesë në operacionin special ushtarak [kundër Ukrainës], terroristët hapën zjarr me armë të vogla mbi personelin e njësisë,” citon Ria një deklaratë e ministrisë së mbrojtjes.

Guvernatori lokal tha se asnjë banor i rajonit të Belgorod nuk ishte vrarë apo plagosur në kamp. Muajin e kaluar presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi mobilizimin e 300 mijë rusëve që kishin kryer më parë shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

Urdhri shkaktoi protesta në të gjithë Rusinë dhe një rritje të njerëzve që përpiqeshin të largoheshin nga vendi. Menjëherë pas shpalljes së mobilizimit, një rekrutues ushtarak u qëllua në një zyrë regjistrimi në Siberi. Javën e kaluar, Putin njoftoi se mbi 200 mijë njerëz tashmë ishin mobilizuar. Ai tha se nuk ka nevojë për mobilizim shtesë. ©LAPSI.al

Lexo me shume