Takimi i gjashtë i Grupit të Kontaktit, Peleshi: Do të vijojmë ndihmën për Ukrainën

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi mori pjesë në takimin e gjashtë të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes për Ukrainën.

Në këtë takim të thirrur nga Sekretari i Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-ve z. Lloyd Austin dhe Shefi i Shtabit të Bashkuar të SHBA-ve, Gjeneral Mark Milley , në selinë e NATO-s në Bruksel, ishin të pranishëm përfaqësues të afro 50 vendeve aleate dhe partnere.

Qëllimi i këtij takimi ishte adresimi i kërkesave të Ukrainës për kapacitete ushtarake dhe jo ushtarake të nevojshme për vijimin e reagimit ndaj sulmit të paprovokuar të Rusisë.

Në diskutimet e përfaqësuesve të lartë të shteteve aleate u konfirmua uniteti në mbështetje të Ukrainës. Gjatë fjalës së tij, Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë Niko Peleshi dënoi me forcë të ashtuquajturat referendume ruse për aneksimin e rajoneve të Ukrainës, duke shprehur qëndrimin e Shqipërisë për të mos i njohur kurrë ato. Ministri Peleshi theksoi se Shqipëria njeh dhe respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Ministri

Peleshi përmendi kontributin e deritanishëm të qeverisë shqiptare në mbështetje të Ukrainës dhe deklaroi se po punohet për të ofruar ndihmë ushtarake dhe humanitare.

Në këtë takim mori pjesë edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH Gjeneral brigade Arben Kingji. Takimi i gjashtë i Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes për Ukrainën u mbajt para takimit dy ditor të Ministrave të Mbrojtjes së vendeve të NATO-s./abcnews.al/

Lexo me shume