Taksimi 15% do përkeqësoje situatën te profesionet e lira, do rritet shmangia e faturimeve_663a250e13b90.jpeg

Taksimi 15% do përkeqësoje situatën te profesionet e lira, do rritet shmangia e faturimeve

Zbatimi i ligjit për tatimin mbi të ardhurat me profesionet e lira rrezikon të kthehet në bumerang për shtetin, pasi sipas audituesit ligjor Julian Saraçi, pasi shumë biznese do të përpiqen të shmangin faturimet apo të deklarojnë shpenzime fikteve. Ai thotë se ndryshimi i normës së tatimit nga 0% në 15% do të përkeqësojë menjëherë situatën ekonomike dhe profesionale të profesionistëve të lirë. Saraçi vlerëson gjithashtu se ligji është antikushtetues, pasi cenon barazinë mes tatimpaguesve dhe shkel ligjin bazë për organizmin e bizneseve.
Cilat janë arsyet që për ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat” që nisi zbatimin me profesionet e lira është kërkuar 3 herë shfuqizimi në Gjykatën Kushtetuese?
Ligji nr.9901 që rregullon organizimet e biznesit, i ndan ata në biznese tregtar dhe shoqëri tregtare, dhe në kategorinë e tregtarit hynë të gjithë personat fizikë, pavarësisht aktivitetit të tyre. Si pasojë, profesionistët e lirë janë kategorizuar ndryshe nga personat fizikë të klasifikuar tregtar në ligjin 29/2023, gjë që bie ndesh me vetë thelbin e ligjit të përgjithshëm. Ligji specifik i tatimit nuk mund të prevalojë mbi ligjin e përgjithshëm. Këtu është cenuar barazia para ligjit dhe janë diskriminuar, pa asnjë shkak profesionet e lira.
Përse profesionistët e lirë duhet që të tatohen, ndërsa tregtarët jo? Pra, pse të tatohet truri, ndërsa malli jo? Në jurisprudencën kushtetuese theksohet se mungesa e harmonizimit të dispozitave të një ligji me ato të ligjeve të tjera mund të mos krijojë në vetvete antikushtetushmëri, por kur paqartësia krijon probleme të tilla që çojnë në zbatim të gabuar të dispozitave ligjore dhe në cenim të parimit të shtetit të së drejtës e të sigurisë juridike, atëherë nuk mund të pranohet se këto norma janë të pajtueshme edhe me frymën e Kushtetutës (shih vendimin nr. 14, datë 22.5.2006 të Gjykatës Kushtetuese).
Me qëllim dashakeqës ngatërrohet termi profesionet e lira. Profesion i lirë janë kategori të caktuara profesionesh, që rregullohen me ligj të veçantë dhe ai ligj në funksion të ushtrimit të profesionit i ngarkon me statusin e tregtarit.
Ndaj ligji dhe aktet nënligjore janë në lajthitje ligjore, duke konsideruar profesion të lirë çdo lloj aktiviteti që furnizon apo ofron shërbim. Dhënia me qira e makinave, palestrat, shërbimet e marketingut, etj nuk janë profesione të lira, për sa nuk ka ligje të veçanta që rregullojnë këto profesione. Prandaj argumenti i administratës tatimore që s’mund të luftojë evazionin e listëpagesave, për shembull ofrimi i konsulencës financiare nga tregtare që nuk disponojnë licencën përkatëse për ushtrimin e profesionit, është në shkelje të ligjit të veçantë që rregullon profesionin e kontabilistit dhe audituesit ligjor. Lehtësisht me këtë pjesë, administrata tatimore mund të luftojë evazionin. Si rrjedhoje nuk shoh përpjekje për luftën ndaj paligjshmërisë.
Tashmë subjekteve fizike dhe të vetepunësuarve u kanë ardhur vlerësimet me detyrimin e këstit të parapagimit për tatimin. A është korrekte përmbajtja juridike për dërgimin e tyre, si dhe llogaritjet e detyrimit? A janë përfshirë argumentet ligjore pas nisjes së njoftim vlerësimeve të tatimeve ndaj subjekteve?
Aplikimi retrospektiv i tatimit duke u bazuar në llogaritjen e parapagimeve në vitin 2023, gjë që bie ndesh me çdo parim të një sistemi tatimor, duke filluar që nga koha e Adam Smithit mbi momentin kur duhet të mblidhen tatimet dhe bie ndesh me nenin 155 të Kushtetutës, pasi parapagimet konsiderohen tatime. Si mundet që një i vetëpunësuar të paguaje tatimet paraprakisht, bazuar te e kaluara, kur nuk ka siguri mbi kontratat që do të ketë, dhe pa arkëtuar akoma? Ligji do të duhej të ishte aplikuar në bazë parashikimi dhe duhej të ishte marrë në konsiderate njohja e shpenzimeve 30%, pasi bizneset nuk janë shqetësuar që të regjistrojnë shpenzime e si pasojë praktikisht po tatohet e ardhura. Kjo cenon edhe lirinë ekonomike të biznesit dhe sigurinë e jetës dhe të mirëqenies.
Vendosja e tatimit te profesionet e lira është vlerësuar si masë antievazion nga qeveria, pasi shumë të vetëpunësuar për t’iu shmangur tatimit janë regjistruar si të tillë, pas largimit nga listëpagesat. Ku ndryshojnë përgjegjësitë juridike të një punëmarrësi kundrejt të vetëpunësuarit dhe a është i drejtë taksimi?
Argumenti i përdorur nga Ministria e Financave është që për aq kohë sa punëmarrësit po paguajnë, edhe të vetëpunësuarit duhet që të paguajnë. Analogjia është totalisht diskriminuese, pasi i punësuari nuk ka asnjë kosto shtese, dhe nuk ka përgjegjësi juridike. Ndërsa, i vetëpunësuar ka përgjegjësi juridike të pakufizuar si person fizik, me të gjithë pasurinë e tij personale, për më tepër ka riskun e dështimit, risqet që lidhen me biznesin, kostot që lidhen me biznesin përveç tatimeve etj.
Aktualisht legjislacioni tatimor parashikon mjetet dhe instrumentet e mundshëm me anën e të cilës mund të arrihet synimi ligjvënësit për të luftuar fenomenin e shmangies nga “listëpagesat” drejt formës “person fizik tregtar që furnizon shërbime”. Në ligjin 9920/2008 “Për procedurat tatimore në RSH” në nenin 71 dhe 71/2 në kuadër të GAAR (General Anti-Avoidance Rules) është parashikuar “E drejta për të përdorur mënyra alternative vlerësimi” dhe “Përdorimi i metodave alternative të vlerësimit në rastet e veprimeve për shmangien e tatimit dhe abuzimit me parimet e ligjit tatimor”.
Argumenti i përdorur nga administrate tatimore është një paraqitje si mase anti evazion, që indirekt prezumon fajësinë, gjë që bie ndesh me Kodin Penal ku prezumohet fajësia derisa të provohet e kundërta. Pra, nuk mund të akuzohen tatimpaguesit që bëjnë evazion, ndaj duhet që të paguajnë nga zero, ndërkohë që kjo përben vepër penale dhe duhet provuar.
Cilat janë efektet e zbatimit të ligjit te kategoria e profesioneve të lira?
Tatimi i trurit është politike dhe si pasojë godet shtresën e mesme të shoqërisë, direkt vetë kombin. Pasi një nga problemet më emergjente të Shqipërisë është emigrimi i shtresës së mesme, dhe ky ligj thjesht e shton më tepër. Plus që kjo do të kthehet në bumerang, pasi shumë biznese do të krijojnë skema dhe do të përpiqen të shmangin faturimet, ose te marrin shpenzime fiktive.
Nuk ka periudhe tranzitore, norma ka pësuar rritje 100%, pasi ka qene zero dhe menjëherë ka shkuar 15-23%, që përbën 100% rritje praktikisht. Ndryshimi i normës së tatimit nga 0% në 15% përbën një akt juridik me pasoja negative që përkeqëson situatën ekonomikë dhe profesionale të profesionistëve të lirë në mënyrë të menjëhershme, pa iu dhënë atyre kohën e nevojshme në mënyrë që të përshtatin sjelljet dhe veprimtaritë e tyre ekonomike me realitetin e ri fiskal.
Diferencimi i profesioneve të lira me bizneset e tjera që kanë të njëjtin qarkullim vjetor të ardhurash, përveçse diskriminues, konfirmon në fakt dijeninë që ka pasur Qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë për impaktin shumë negativ që do të kishte një masë e tillë në jetën e këtyre subjekteve.
Cenim i konkurrencës në industri, sepse praktikisht ai që është biznes i vogël dhe i vetëpunësuar i vetëm, si shoqëritë apo bizneset e mëdha që ofrojnë të njëjtat shërbime, të dy palët paguajnë të njëjtën normë tatimore. Pra, disproporcionaliteti i normave tatimore dhe favorizimi i biznesit të madh në kurriz të të voglit. Gjithashtu sistemi online i tatimeve nuk është gati, akoma nuk janë gati deklaratat, dhe ligji është i pazbatueshëm pa to.
E fundit ka të bëjë me çedukimin e tatimpaguesit. Me anë të këtij diskriminimi, tatimpaguesit do të përpiqen që të krijojnë shmangie të tatimit për të paguar, dhe kjo do të sjellë çedukimin e tyre në raport me tatimet. Dhe një vit çedukim është i barabartë me 10 vite edukim.
Në tërësi, çfarë efektesh krijojnë te sipërmarrja ndryshimet e shpeshta të politikave fiskale?
Politikat fiskale jo të qëndrueshme në raport me tatimpaguesin, që bëhen pa asnjë studim dhe është pikërisht e kundërta e asaj që duam, dhe që prodhojnë kufizim të sigurisë së vetë jetës dhe mirëqenies. Herë në TVSH, herë jashtë TVSH-së, herë 0%, herë 5%, herë 15%, herë 23%. Paqëndrueshmëria e politikave fiskale çon në rrezik dhe pasiguri mbi jetën dhe profesionin, pasi nuk e di se çfarë të pret në të ardhmen. Për më tepër, efekti në buxhetin e shtetit është më pak se 0.5% e PBB, dhe preken gati 30,000 profesionistë. Pra, kosto e mbledhjes së tatimit është shumë e lartë dhe i tejkalon përfitimet./Monitor

Burimi