Teknologjia dhe biznesi, konferenca ndërkombëtare në CIT

Teknologjia po transformon gjithnjë e më shumë biznesin. Eksperienca të ndryshme sesi bota e biznesit po ndryshon u ndanë në konferencën ndërkombëtare, që zhvilloi punimet në 13 dhe 14 tetor në Institutin Kanadez të Teknologjisë.

Konferenca bëri bashkë personalitete të rëndësishme jo vetëm në Shqipëri, por edhe nga 23 vende të ndryshme të botës. Ish-presidenti Rexhep Mejdani e cilësoi tepër të rëndësishme dhe sipas tij kjo konferencë i shërben së ardhmes.

Sinkron Mejdani: “Konferenca kishte një tematikë mjaft interesante që i takon të sotmes, por është mbi të gjitha një konferencë që i shërben të ardhmes dhe pjesëmarrja në këtë konferencë tregon rëndësinë e saj dhe kjo duhet të konsiderohet edhe nga universitete dhe institucionet e të tjera shqiptare. Njerëzit duhet të përgatiten sot më mirë sesa dje.”

Dita e dytë rezervoi prezantimin me shumë interes nga London School of Economics nga profesor Will Bartlett lidhur me “efikasitetin e teknologjisë dhe mësimin e kodim-it që në edukimin e hershëm parauniversitar”.

Konferenca vazhdoi më pas punimet me tryezën e organizuar në CIT për ngritjen e urave të bashkëpunimit midis biznesit dhe universitetit.

Fabjan Zhilla shpjegoi se CIT ka vendosur t’u ofrojë mundësi punonjësve të bizneseve të pranohen në programet Master të Institutit Kanadez të Teknologjisë, duke mundësuar zhvillimin e aftësive që duhen për rritjen e performances në punë.

“Qëllimi ishte për të ndërtuar ura bashkëpunimi me biznesin. Filozofia e universitetit tonë orientohet drejt zgjidhjes së problemeve. Duke parë universitetin jo thjeshtë si një mundësi për të përfituar një punë, por për të përfituar një punë që përmirëson situatën ekonomike. Ne kemi disa programe master dhe na ftuan bizneset që të sjellin punonjësit e tyre.”

Ndër të tjera u evidentua një mundësi për t’u ofruar studentëve vende pune dhe për të parandaluar largimin e të rinjve nga vendi.

Në konferencën dy ditore morën pjesë mbi 100 studiues dhe kërkues shkencor nga 23 shtete të ndryshme dhe u referuan mbi 65 artikuj shkencor në fushën e inxhinierisë dhe ekonomisë. Instituti Kanadez i Teknologjisë është institucion jo publik i arsimit të lartë në Shqipëri. Prej 11 vitesh në Shqipëri, CIT ofron mësimdhënie vetëm në gjuhën angleze për studentët. /abcnews.al/

Lexo me shume