Tentoi të vriste një person me snajper, Apeli shpall të pafajshëm Ergys Kolaverin

Gjykata e Apelit në Tiranë ka shpallur te pafajshëm Ergys Kolaverin, i cili u arrestua me bujë në vitin 2016 kur qëlloi me snajper në drejtim të një qelie në burgun e Vaqarrit duke patur si objektiv Gazmir Dacin duke lënë të plagosur një tjetër të burgosur.

Kolaveri ishte dënuar fillimisht me 20 vite burg, por masa iu ndryshua në vitin 2020 në “arrest shtëpie”.

Por kush është Ergys Kolaveri dhe çfarë e shtyu drejt përdorimit të snajperit?

Hasmëria e familjeve Kolaveri- Daci zë fill në vitin 2015 kur Gazmir Daci vrau vëllain e tij Valmir Kolaverin më 4 tetor 2015 dhe la të paralizuar vëllain tjetër Robert Kolaverin.

Vëllezërit Kolaveri kishin rrahur në bodrumin e një banese në Francë Elson Dacin, vëllain e Gazmirit pasi ky i fundit po u prishte pazaret e transportimit të klandestinëve dhe po u merrte klientët. Me kthimin në Shqipëri Gazmir Daci u kishte kërkuar llogari në një lokal por sherri përfundoi me vrasje dhe plagosje.

Gazmir Daci u dënua me 35 vite burg për vrasje dhe plagosje, por vëllai i tretë Ergys Kolaveri nuk e la me kaq. Pikërisht me anë të një snajperi Ergys Kolaveri tentoi të vrasë Gazmir Dacin pasditen e 30 korrikut të 2016 por doli ‘huq’ pasi plagosi kosovarin Lili Dulajn.

Kolaverit iu gjet në automjet vetëm disa dylbi por jo arma me të cilin tentoi të vrasë Gazmir Dacin. Në 2017 ai u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 20 vite burg për tentativë vrasje.

Njoftimi i Gjykatës:

Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit Tiranë, informon sa më poshtë:

Më datë 30.07.2016, në mjediset e ajrimit të Institucionit të Ekzekutimit të Dënimeve Penale (IEDP), Vaqarr, në  orën 16:31, është plagosur me armë zjarri shtetasi me iniciale L.D, i cili gjatë hetimeve ka rezultuar të ishte objektiv i gabuar i sulmit. I akuzuar për këtë ngjarje është i pandehuri me iniciale E.K., i cili akuzohet se ka kryer veprat penale të “Vrasjes për gjakmarrje”, mbetur në tentativë, “Plagosja e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”,  për motive gjakmarrje kundër shtetasit me iniciale G.D.

Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, ka zhvilluar gjykimin lidhur  me çështjen penale me të pandehur E.K, i akuzuar për kryerjen e veprave penale të mësipërme, të parashikuar nga nenet 78/a-22, 88/1, 278/1, 279/2 të K.Penal, si dhe ndaj të pandehurit E.C, i akuzuar për kryerjen e verës penale të “Moskallëzimit të krimit”, të parashikuar nga neni 300/1 të K.Penal.

Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë me vendimin nr. 106, datë 08.11.2017 ka vendosur:

  1. Deklarimin fajtor të të pandehuri për kryerjen e veprës penale të“Vrasja për gjakmarrje”, mbetur në tentativë, e parashikuar nga neni 78/a e 22 të Kodit Penal dhe dënimin e tij, në bazë të kësaj dispozite, si dhe në lidhje me nenet 23 dhe 49 të këtij Kodi, me 18 (tetëmbëdhjetë) vjet burgim.
  2. Deklarimin fajtor të të pandehuri për kryerjen e veprës penale të“Plagosja e rëndë me dashje”, e parashikuar nga neni 88, paragrafi I parë i Kodit Penal dhe dënimin e tij, në bazë të kësaj dispozite, si dhe në lidhje me nenet 49 të këtij Kodi, me 4 (katër) vjet burgim.
  3. Deklarimin fajtor të të pandehuri për kryerjen e veprës penale të“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, e parashikuar nga neni 278, paragrafi I parë i Kodit Penal dhe dënimin e tij, në bazë të kësaj dispozite, si dhe në lidhje me nenet 49 të këtij Kodi, me 4 (katër) vjet burgim.
  4. Deklarimin fajtor të të pandehuri për kryerjen e veprës penale të“Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, e parashikuar nga neni 279, paragrafi i dytë i Kodit Penal dhe dënimin e tij, në bazë të kësaj dispozite, si dhe në lidhje me nenet 49 të këtij Kodi, me 1 (një) vit burgim.
  5. Në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve, dënimin e të pandehurit K, me një dënim të vetëm prej 20 (njëzet) vjet burgim.
  6. Deklarimin fajtor të të pandehuri për kryerjen e veprës penale të“Moskallëzimi i krimit”, e parashikuar nga neni 300, paragrafi i parë i Kodit Penal dhe dënimin e tij, në bazë të kësaj dispozite, si dhe në lidhje me nenet 49 të këtij Kodi, me 1 (një) vit burgim.

Kundër këtij vendimi ka ushtruar ankim Prokuroria e Gjykatës së Shkallës së Parë e Krimeve të Rënda, e cila kërkoi ndryshimin e vendimit për sa i përket masës së dënimit dhënë ndaj të pandehurit E.K dhe dënimin e tij përfundimisht me 30 vjet burgim.

Gjithashtu është ushtruar ankim edhe nga i pandehuri E.K, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit për sa më poshtë:

-Deklarimin si të pafajshëm, pasi nuk u arrit që të provohet fakti që ka kryer veprën penale të  “Vrasjes për gjakmarrje”, mbetur në tentativë, “Plagosja e rëndë me dashje” , “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

I pandehuri E.C ka paraqitur ankim,  i cili kërkoi ndryshimin e vendimit duke u deklaruar i pafajshëm.

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda Tiranë, me vendimin nr. 39 datë  26.03.2018 ka  vendosur:

  • Konstatimin e moskompetencës lëndore të Gjykatës për Krime të Rënda dhe prishjen e vendimit nr. 106 datë 08.11.2017 të kësaj gjykate.
  • Dërgimin e çështjes që i përket të pandehurit K dhe E.C, Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Kundër këtij vendimi,  ka ushtruar rekurs në Gjykatën e Lartë, Prokurori pranë Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda Tiranë, i cili ka kërkuar prishjen e vendimit dhe kthimin e çështjes për rigjykim në po atë Gjykatë.

Gjykata e Lartë, Kolegji Penal me vendimin nr. 00-2018-312 datë 12.09.2018 ka vendosur:

  • Dërgimin e akteve Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda Tiranë për vazhdimin e gjykimit, si gjykatë që ka kompetencë lëndore për gjykimin e çështjes.

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin e saj nr. 01 date 23.12.2019 ka vendosur:

  • Shpalljen e moskompetences lendore te Gjykates se Posacme te Apelit per Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
  • Dërgimin e çështjes penale Nr. 9/102 regjistrimi, datë 04/10/2018 që i përket të pandehurit K, i akuzuar për veprat penale të parashikuara nga Nenet 78/a dhe 22, 88/1, 278/1 dhe 179/2 te Kodit Penal, si dhe ndaj te pandehurit E.C, i akuzuar per vepren penale te parashikuar nga Neni 300 te Kodit Penal, Gjykatës së Apelit Tiranë, si gjykatë kompetente.

Në përfundim të gjykimit dhe shqyrtimit të ankimeve të përmëndura më sipër, Gjykata e Apelit Tiranë, e përbërë nga trupi gjykues me Relatore Gjyqtare znj. Elona Toro dhe anëtarë znj. Valdete Hoxha dhe znj. Lutfije Celami, me vendimin nr. 1029, datë  26.10.2022 vendosi:

  • Ndryshimin e vendimit Nr.106, date 08.11.2017 te Gjykates se Shkalles se Pare per Krimet e Renda si me poshte:
  • Deklarimin e pafajshem te te pandehurit K per kryerjen e veprave penale te “Vrasje per gjakmarrje” mbetur ne tentative, parashikuar nga neni 78/a e 22 i K.Penal, “Mbajtja pa leje dhe prodhim i armeve, armeve shperthyese dhe municionit”, parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal, “Plagosja e rende me dashje”, parashikuar nga neni 88 paragrafi 1 te Kodit Penal.
  • Deklarimi i pafajshem te te pandehurit C per kryerjen e vepres penale te “Moskallezimit te krimit”, parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal.
  • Lenien ne fuqi te vendimit Nr.106, date 08.11.2017 te Gjykates se Shkalles se Pare per Krimet e Renda per disponimet e tjera te tij.
  • Urdherohet lirimi i menjehershem i te pandehurit K nga qendrimi i tij nen masen e sigurimit “arrest ne shtepi”, nese nuk mbahet per ndonje veper penale apo mase sigurimi tjeter.

/abcnews.al

 

Lexo me shume