Tërhiqet qeveria nga taksa e hirrës/ Biznesi do vazhdojë të tentojë ndryshimin e ligjit në Kuvend

Industria e përpunimit të qumështit kërkoi që pjesë e paketës së re fiskale të  bënte pjesë dhe heqja e taksave të hirrës dhe kremit të qumështit, prej të cilave përgatitet bulmeti. 

Edhe pse një gjë e tillë nuk u miratua një ditë më parë, kjo nuk do të thotë se prodhuesit e mëdhenj të bulmetit nuk do të tentojnë sërish.
Skema që dëmton prodhuesit e qumështit vendas, është lënë mënjanë momentalisht, por Top Channel ka mësuar që ajo do të futet në Paketën e Re Fiskale kësaj herë si propozim i deputetëve. Lobimet e biznesit në kurriz të fermerëve do të kalojnë nga qeveria në parlament.

 “Mungesa e qumështit ka drejtuar fabrikat tek këto lëndë që janë të ligjshme por që në të vërtetë këtu vendoset në diskutim dhe sasia që përdoret. Hirra dhe kremi i qumështit po vrasin blegtorinë në kohën që ne duhet të mbështetemi“, tha Ervin Resuli, ekspert I sigurisë ushqimore.
Ekspertët e bujqësisë që jemi ende në kohë për të shpëtuar sektorin e blegtorisë.
 “Hirra e qumështit e vret blegtorinë. Për të shtuar numrin e gjësë së gjallë është momenti që të mbështesim fermerin duke i dhënë subvencionim lekë për litër qumësht,dhe lekë për kilogrami mish që do të dorëzohet për treg. Subvencionimi  për kokë lopë është I gabuar“ , tha Zef Gjeta, ekspert i sigurisë ushqimore.
Tkurrja e blegtorisë, në vendin tonë ka shkaktuar krizë qumështi dhe mishi.  Nëse i referohemi të dhënave nga INSTAT vetëm brenda 4-vjeçarit të fundit Shqipëria ka gjysmë milioni dhi, si dhe 100 mijë krerë lopë më pak.
Mungesa e qumështit vendas, rriti çmimin e bulmetit. Përgatitja e gjalpit, kosit, djathit me qumështin e importit dhe hirrën e qumështit rriti çmimin e bulmetit ku 1 kg gjalpë kushton 1400 lekë, ndërsa djathi blihet me 1000-1200 lekë.
Blegtorët  kanë hequr dorë nga mbarështimi i gjësë se gjallë sepse në kohën kur industria e përpunimit të qumështit 1 litër qumësht e blinte tek fermeri më lirë se 1 litër uji, Ministria e Bujqësisë vendosi të mos e mbështesë fermerin me politikat e duhura bujqësore, siç është subvencionimi lek për litër qumësht.
Nëse ne do të vazhdojmë të sillemi kështu me blegtorët, rrezikojmë t’i themi përgjithnjë mirupafshim qumështit të freskët vendas.

Top ChannelLexo me shume