Thatësira mund t’i kushtojë Europës Qendrore dhe Lindore 1% të PBB-së në vitet e ardhshme 

Në të gjithë EQL-në, sektorët e bujqësisë dhe ushqimit vazhdojnë të pësojnë dëme të konsiderueshme për shkak të fatkeqësive natyrore dhe gjithnjë e më shumë fusha të ekonomisë po preken.
Siç u vërtetua nga valët e të nxehtit dhe thatësirat në verën e vitit 2022, numri dhe ndikimi i fatkeqësive natyrore në Europë, dhe veçanërisht në Europën Qendrore dhe Lindore (EQL), do të vazhdojnë të rriten në vitet e ardhshme, me efekte të mëdha ekonomike, që duhen përfshirë në planet e zhvillimit rajonal.
Një analizë historike nga konsulenca britanike Cambridge Econometrics, tregon se cilat rajone janë më të goditurat nga fatkeqësitë natyrore në Europë.
Analiza tregon se thatësirat dhe përmbytjet janë historikisht fatkeqësitë natyrore më të mundshme që shkaktojnë dëme ekonomike në vendet e EQL-së.
Valët e të nxehtit, uraganet dhe ngritjet e nivelit të deteve, rezultojnë në një humbje të ecurisë ekonomike globale, mesatarisht midis një dhe tre për qind të PBB-së, sipas llogaritjeve më të fundit nga Cambridge Econometrics, dhe ndikimet në vendndodhje, rajone dhe sektorë ekonomikë të caktuar, mund të jenë më të larta se mesatarja.
Rënia e produktivitetit 
Ndërsa humbjet ekonomike janë më të vogla në prodhimin e energjisë dhe në turizëm, sektori i bujqësisë dhe ai i ushqimit vazhdojnë të pësojnë dëme të konsiderueshme, për shkak të fatkeqësive natyrore dhe gjithnjë e më shumë fusha të ekonomisë po preken.
“Thatësirat shkaktojnë dëme të konsiderueshme në prodhimin bujqësor dhe stinët e verës gjithnjë e më të nxehta rezultojnë në rënie të produktivitetit në sektorë të tjerë”, thotë Dóra Fazekas, drejtoreshë menaxhuese e Cambridge Econometrics në Hungari.
“Nxehtësia ekstreme po bëhet e padurueshme për punëtorët, duke ndikuar në ndërtim dhe transport në një masë gjithnjë e më të madhe. Nivelet e ulëta të ujit të lumenjve dhe liqeneve shkaktojnë pengesa në transportin e ujit, prodhimin e energjisë dhe aktivitete të tjera industriale dhe ndodhin më shpesh probleme në furnizimin me ujë të pijshëm për banesa”.
Përveç numrit në rritje të sektorëve ekonomikë, numri i vendeve të prekura nga fatkeqësitë natyrore, është gjithashtu në rritje.
Bazuar në parashikimet për ngrohjen mesatare globale prej 1.5 gradë Celsius, vendet jugore në Europë do të vuajnë dëme ekonomike nga 5 deri në 6 miliardë euro në vit, vetëm nga thatësira, dhe vendet kontinentale si Çekia, Hungaria, Polonia, Sllovakia dhe Rumania, do të përjetojnë ndikime të ngjashme, me humbje mesatare prej 2.5 miliardë eurosh në prodhimin vjetor ekonomik.
Në rajonin e EQL-së, Rumania dhe Hungaria do të vuajnë më shumë nga efektet e nxehtësisë, duke rezultuar në një humbje përkatësisht prej 1.5% dhe 1% të PBB-së.
Analiza nga Cambridge Econometrics shqyrtoi dëmet ekonomike të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore në rajonet e vendeve të Bashkimit Europian, që nga viti 1995.
Shtetet anëtare pësuan humbje totale prej 77 miliardë eurosh për shkak të fatkeqësive natyrore në periudhën e analizuar. Nga shuma totale, ndikimet e drejtpërdrejta arrinin në dëme prej 44 miliardë eurosh, ndërsa 33 miliardë u humbën për shkak të efekteve jo të drejtpërdrejta.
Analiza zbuloi se fatkeqësitë natyrore shkaktojnë dëmet më të mëdha në ekonomitë në Europën Qendrore dhe Lindore dhe në Europën Juglindore.
Ndikim i drejtpërdrejtë dhe i tërthortë 
Në EQL, rajonet në Rumani, Çeki, Poloni dhe Hungari janë më të goditura nga fatkeqësitë natyrore. Në këto zona, dëmet e drejtpërdrejta dhe humbjet ekonomike, arrijnë në 0.2-0.3% të Vlerës së Shtuar Bruto vjetore (VSHB), ndërsa në vite specifike, dëmet mund të arrijnë në dy-tre për qind të VSHB-së, afërsisht i njëjti nivel humbjesh i shkaktuar nga ndikimi ekonomik i pandemisë Covid-19 në vitin 2020.
Vendet që vuajnë më shumë nga fatkeqësitë natyrore, zakonisht janë më të varfra dhe ekonomitë e tyre mbështeten në sektorë dhe aktivitete që ndikohen më rëndë nga fatkeqësitë natyrore dhe ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit, si bujqësia, sektori ushqimor dhe prodhimi.
Tendencat globale të klimës tregojnë qartë se fatkeqësitë natyrore kanë gjithnjë e më shumë gjasa të ndikojnë në ekonomitë në EQL. Planet e zhvillimit në këto vende duhet të marrin parasysh efektet ekonomike në rritje të fatkeqësive natyrore.
“Ndikimi ekonomik i fatkeqësive natyrore duhet parë si një faktor gjithnjë e më i rëndësishëm në planifikimin ekonomik në vendet e EQL-së. Buxhetet duhet të përfshijnë investime që mund të zbusin ndikimet e drejtpërdrejta të fatkeqësive natyrore dhe duhet të hartojnë plane zhvillimore që ndihmojnë në forcimin e sektorëve ekonomikë dhe aktiviteteve më pak të ndikuara nga fatkeqësitë natyrore, si shërbimet, kërkimi dhe zhvillimi”, shton Fazekas.

Burimi