Tjetër fushatë rivlerësimi për pronat e patundshme

Kuvendi i Shqipërisë ka marrë për shqyrtim një propozim të deputetes socialiste, Blerina Gjylameti për të lejuar rivlerësimin për efekt fiskal të pronave të patundshme deri në qershor të vitit 2025. Propozimi i publikuar në faqen e Kuvendit të Shqipërisë thotë se të interesuarit do të mund të rivlerësojnë çmimin kontabël të pronës individuale apo të biznesit përkundrejt pagesës paraprake të 3% të diferencës. Propozimi i Gjylametit vjen pasi qeveria rriti të ashtuquajturat “Çmime reference” për pronat e patundshme, mbi të cilat llogaritet tatimi mbi të ardhurat personale në rast shitjeje. Kjo është hera e pestë që qeveritë ndërmarrin një nismë të tillë.
Shqipëria vendosi në vitin 2008 për herë të parë një tatim mbi fitimet kapitale në rast të shit-blerjes së pronave të patundshme. Sipas parimit të kësaj takse, nëse një qytetar blen një pronë me 10 lekë dhe e shet, pas disa vitesh, për fjala vjen, 12 lekë, ai detyrohet të paguajë tatim mbi të ardhurat personale për diferencën që është 2 lekë. Në realitet, duke qenë se në Shqipëri, pjesa më e madhe e pronave kanë pësuar ndërrim pronësie dekada më parë, tatimi mbi fitimin rezultoi i rëndë për shumë prona duke sjellë ngërç në treg. Duke mos pranuar se taksa ishte gabim, qeveria e kohës vendosi të nisë një fushatë rivlerësimi të çmimit të këtyre pronave, duke i ofruar pronarëve të parapaguanin një taksë prej 1 apo 2%. Disa fushata të ngjashme pasuan gjatë kohës së qeverive “Berisha” dhe “Rama”, e megjithatë, ngërçi në treg nuk është zgjidhur ende.
Fushatat e rivlerësimit kanë krijuar nga ana tjetër një pabarazi të dukshme në mënyrën se si shqiptarët taksohen pasi nga këto fushata kanë përfituar para së gjithash individët dhe kompanitë e pasura, ndërsa qytetarët me një pronë kanë rezultuar në pamundësi për të bërë rivlerësimin dhe  rrjedhimisht, të humbur.
Projektligji i propozuar nga Gjylameti parashikon në mënyrë specifike mundësinë e rivlerësimit të pronave nën pronësinë e kompanive.
Edhe kjo fushatë me gjasa vështirë se do të zgjidhë ngërçin në tregun e pronave të patundshme për shkak se qeveria, për të shmangur evazionin fiskal, përdor çmime reference për pronat, gjë që bie ndesh me realitetin, pra që vlera e një prone mund të rritet por mundet edhe të bjerë, apo se një apartament i ndërtuar dekada më parë nuk mbart të njëjtën vlerë si një apartament i ndërtuar së fundmi. Humbësit edhe në këtë rast janë shqiptarët në gjendje jo të shkëlqyer financiare, ata që kanë trashëguar një pronë, fjala vjen, një apartament të viteve 1960 apo 1970, por që tatimin mbi fitimin për rast shitjeje duhet ta paguajnë njësoj si një apartament i ndërtuar në vitin 2024.

Burimi