Toka, llogari bankare dhe makina luksoze/ Prokuroria kërkon sekuestrimin e pasurive të biznesmenit_663a2cd3550d9.jpeg

Toka, llogari bankare dhe makina luksoze/ Prokuroria kërkon sekuestrimin e pasurive të biznesmenit

Prokuroria e Tiranës kërkon sekuestrimin e pesë pasurive të paluajtshme, llogarive bankare dhe shtatë automjeteve në kuadër të një hetimi të nisur më 23 Maj, për veprën penale të pastrimit të parave.
Nën akuzë është biznesmeni Adem Metkola dhe ish-bashkëshortja e tij Arjana Xhika. Në skemë dyshohet e përfshirë edhe një shtetase britanike.
Hetimet
Sipas prokurorisë, se në llogaritë e Metkolës dhe Metkola, në bankat e nivelit të dytë në Republikën e Shqipërisë për periudhat 2007-2008, 2015-2016 dhe 2020-2023, kanë mbërritur disa transferta në vlera të konsiderueshme. Dërgesat janë bërë nga shteti anglez dhe dërgues kanë qenë shtetas të huaj, ku midis tyre dhe përfituesve nuk provohet asnjë lidhje. Transfertat bankare në llogaritë e tyre janë bërë pa përshkrim veprimi.
Lidhur me këto transferta, njofton prokuroria, “Adem Metkola ka deklaruar se shumat e depozituara në llogarinë e tij kanë qenë kapar për blerjen e një pasurie të paluajtshme në Durrës, e cila do të përdorej për të ndërtuar një resort turistik ku të dy do ta kishin në bashkëpronësi”.
Nga hetimet e deritanishme, prokuroria vlerëson se duhet vendosur sekuestro preventive pasi ekzistojnë indicie dhe prova të mjaftueshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shtetasi Adem Metkola në bashkëpunim me ish-bashkëshorten e tij, shtetasen Arjana Xhika kanë konsumuar veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal. Në këtë skemë dyshohet se është e përfshirë edhe shtetasja britanike Carolyn Patricia Perry, e cila ka kryer transferta për shtetasin nën hetim si dhe gjithashtu ka blerë pasuri në bashkëpronësi me të me vlera të konsiderueshme.
Në transfertën e kryer për blerjen e pasurisë truall, Metkola ka deklaruar se të ardhurat kanë qenë kursime familjare të përftuara si pasojë e emigrimit. Ndërkohë, sipas prokurorisë, rezulton që ky shtetas është kthyer deportiv në vitin 2007 dhe këto para nuk i ka qarkulluar më parë në sistemin bankar, pavarësisht se ka rreth 20 vite që është kthyer nga Anglia.
Hoteli në Durrës
Adem Metkola, sipas të dhënave në Qendrën Kombëtare të Biznesit rezulton pronar me 100 përqind të kuotave të firmës “METKOLA SHPK”, të regjistruar më 3 Nëntor 2023. Administratore në këtë firmë është Arjana Xhika, e cila bashkë me Metkolën akuzohen për pastrim parash.

Në vitin 2022, Adem Metkola rezulton të ketë marrë leje për ndërtimin e një hoteli në Durrës bashkë me shtetasen angleze e cila sipas prokurorisë, dyshohet e përfshirë në skemën e pastrimit të parave.
Në mbledhjen e 28 Dhjetorit të dy viteve më parë, Këshilli Kombëtar i Territorit që drejtohet nga kryeministri Edi Rama firmosi mes të tjerash edhe vendimin për projektin në fjalë: Leje Ndërtimi për objektin: “Hotel”, me vendndodhje në Rrugën: “Currila”, Bashkia Durrës, me subjekt zhvillues Z. Adem Metkola dhe Zj. Carolyn Patricia Perry.
Kritikat e Ramës
Njoftimi i kërkesës për sekuestro, për të cilën do të vendosë gjykata e Tiranës, erdhi pas kritikave që kryeministri Edi Rama bëri më herët gjatë ditës për Prokurorinë e Tiranës.
“SPAK dhe prokuroria e Tiranës janë në një distancë fizike më pas se 1 km. Në SPAK kërkohet llogari edhe për një punonjëse të thjeshtë, në prokurorinë e Tiranë mbrohet evazioni fiskal. Janë 80 raste që flenë prej vitesh në prokurorinë e Tiranës për evazion fiskal. Në ato raste ka dhe edhe nga ata që ndryshe quhen oligarkë. Bëhet fjalë për qindra miliona euro, të shmangura nga detyrimet tatimor. Ajo është distanca, më pak se 1 km. Tjetër drejtësi atje tjetër aty. Nuk ka forcë mal me dosje nuk ka lumë me shifra që e tund evazionin fiskal që e ka bërë strehë Prokurorinë e Tiranës”, tha Rama gjatë një mbledhjeje me grupin parlamentar dhe kabinetin qeveritar.

Burimi