Trendet e teknologjisë, dita e dytë e konferencës ndërkombëtare në CIT

Në Institutin Kanadez të Teknologjisë vijuan punimet në ditën e dytë të konferencës ndërkombëtarë për digjitalizimin e ekonomisë dhe ndikimin e teknologjisë në biznes. Dita e dytë rezervoi prezantimin me shumë interes nga London School of Economics nga profesor Will Bartlett lidhur me “efikasitetin e teknologjisë dhe mësimin e kodim-it që në edukimin e hershëm parauniversitar”.

Konferenca vazhdoi më pas punimet me tryezën e organizuar në CIT për ngritjen e urave të bashkëpunimit midis biznesit dhe universitetit.

Në tryezë morën pjesë përfaqësues nga fusha të ndryshme të biznesit në vend, si nga sektori banker, telekomuinikacioni, kompanitë e sigurimit, etj., të cilët folën për situatën në të cilën ndodhet biznesi shqiptar dhe shprehën pikëpamjet e tyre se si mund të transformojnë dhe plotësojnë nevojat e tyre në një ekonomi që po ndryshon me ritme të shpejta drejt teknologjisë e digjitalizimit.

Ndër të tjera, përfaqësuesit e biznesit nënvizuan rëndësinë e afrimit të studentëve për praktika mësimore pranë bizneseve. Një ndër problemet që u evidentua ishte ikja e të rinjve dhe gjetja e mundësive për të penguar këtë fenomen.

Fabjan Zhilla shpjegoi se CIT ka vendosur t’u ofrojë mundësi punonjësve të bizneseve të pranohen në programet Master të Institutit Kanadez të Teknologjisë, duke mundësuar zhvillimin e aftësive që duhen për rritjen e performances në punë.

“Qëllimi ishte për të ndërtuar ura bashkëpunimi me biznesin. Filozofia e universitetit tonë orientohet drejt zgjidhjes së problemeve. Duke parë universitetin jo thjeshtë si një mundësi për të përfituar një punë, por për të përfituar një punë që përmirëson situatën ekonomike. Ne kemi disa programe master dhe na ftuan bizneset që të sjellin punonjësit e tyre,” u shpreh Zhilla.

Rezart Llukaçi thotë se tryeza ia arriti qëllimit.

“Takimi i sotëm ishte shumë interesant. Profesori Fabjani tha se jemi mbledhur për të rrëzuar muret mes akademikëve dhe biznesit. Hapi i parë ishte një start up në marrëdhënien që duhet të kenë shkollat me biznesin që në fillimet e tyre dhe kjo tryezë ia arriti qëllimit dhe u lanë edhe tematika të tjera në të ardhmen.”

Drejtori i “Exclusive Groap Albania”, Xhoan Kuka vlerësoi mundësinë e mirë që do t’ju ofrohet studentëve.

“Falenderojmë CIT për ftesën. Ishte një mundësi e mirë bashkëbisedime. Diskutuam për urat e bashkëpunimit midis biznesit dhe studentëve të CIT si një mundësi bashkëpunimi dhe jo si një mundësi për të rekrutuar studentët ekselentë të këtij instituti.”

Në konferencën e Kolegjit universitar Instituti Kanadez i Teknologjisë që zhvilloi punimet në 13 dhe 14 tetor morën pjesë mbi 100 studiues dhe kërkues shkencor nga 23 shtete të ndryshme dhe u referuan mbi 65 artikuj shkencor në fushën e inxhinierisë dhe ekonomisë.

Instituti Kanadez i Teknologjisë është institucion jo publik i arsimit të lartë në Shqipëri.  Prej 11 vitesh në Shqipëri, CIT ofron mësimdhënie vetëm në gjuhën angleze për studentët. /abcnews.al/

Lexo me shume