Tri rekordet e fitores/ Haaland “përbindësh”, Guardiola si Ferguson! Askush si De Bruyne

Manchester City fitoi 3-1 ndaj Brightonit falë golave të Erling Haaland (2x) dhe Kevin De Bruyne. Ekipi i Pep Guardiolës u rikthye te suksesi në kampionat pas humbjes në “Anfield” dhe sot pret një dhuratë nga Southampton, që luan në shtëpi kundër Arsenalit kryesues.

Haaland është ngjitur në kuotën e 17 golave në Premier League, shifër e arritur në dhjetë ndeshjet e para që ka zhvilluar në kampionatin më të fortë në planet. 22-vjeçari vijon të konfirmohet i pandalshëm përpara portave kundërshtare.

 

Me dygolëshin e realizuar ndaj skuadrës së De Zerbit, sulmuesi norvegjez bëhet i pari lojtar i Manchester City që gjen rrugën e rrjetës në shtatë sfida radhazi të luajtura në “Etihad”, duke barazuar rekordin e Sergio Agueros (2018) – golashënuesi më i mirë në historinë e klubit.

 

Ndërkohë, goli i dytë i Haaland ishte i 600-ti për kampionët në fuqi të Anglisë me Guardiolën në pankinë. “Cityzens” bëhet klubi i tretë që arrin 600+ gola nën një trajner të vetëm në kompeticion, pas Manchester United me Sir Alex Ferguson dhe Arsenalin nën drejtimin e Arsene Wenger.

Feston edhe De Bruyne, i cili ka vendosur një rekord të veçantë me eurogolin e shënuar. Që nga debutimi i tij në ishull me City-n në shtator 2015, 31-vjeçari belg ka shënuar më shumë gola nga jashtë zonës se sa çdo lojtar tjetër në kampionat (24).

Lexo me shume