Trump thirret zyrtarisht të dëshmojë: Nëse refuzon, ish presidentin rrezikon burgun!

Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan që po heton trazirat e dhunshme të vitit të kaluar në Kapitol, lëshoi një thirrje ligjore ndaj ish presidentit Donald Trump për të dëshmuar përpara ligjvënësve.

“Ju ishit në qendër të përpjekjes së parë dhe të vetme të nje presidenti amerikan për të përmbysur zgjedhjet dhe për të penguar tranzicionin paqësor të pushtetit”, thuhet në dokumentin e drejtuar atij, ku më tej shtohet: “E dinit se ky ishte një aktivitet i paligjshëm dhe antikushtetues”.
Trumpi ka kohë deri në 4 nëntor për t’i dërguar komisionit dokumentet e kërkuara, ndërsa rreth datës 14 nëntor duhet të paraqitet vetë për të dëshmuar. Nëse refuzon të dëshmojë në Kongres ose të dorëzojë materialet e pretenduara prej tij, komisioni mund t’ia referojë çështjen Departamentit të Drejtësisë, çka mund të pasohet nga një procedim penal. Shtatë anëtarët demokratë dhe dy republikanë të komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve votuan unanimisht në 13 tetor në favor të thirrjes së ish shefit të Shtëpisë së Bardhë për të dëshmuar.

Lëshimi i fletëthirrjes tani u bë vetëm disa orë pasi ish-strategu i Trumpit, Steve Bannon u gjobit me 6,500 dollarë dhe u dënua me katër muaj burg për shpërfillje të Kongresit. Ai u dënua sepse refuzoi të dëshmonte ose të dërgonte dokumente në komision. Një ndihmës tjetër i Trump, Peter Navarro, do të dalë në gjyq për të njëjtën arsye muajin e ardhshëm për shkak se nuk pranoi të bashkëpunonte për një thirrje të ngjashme.
Ligjvënësit thonë se Trump u kërkoi mbështetësve të tij të refuzonin rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, duke i shtyrë ata të sulmojnë sallat e Kongresit në një përpjekje për të parandaluar që Joe Biden të certifikohej si fitues. Mbështetësit e ish presidentit i shohin të gjitha këto lëvizje si dëshmi të frikës që sipas tyre, demokratët kanë se Trumpi mund të kandidojë sërish në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, dhe të fitojë.

Top ChannelLexo me shume