Turqia po kërkon të luajë rol në përpjekjen e Europës për t’i dhënë fund varësisë nga energjia ruse

Me Rusinë, e cila po kufizon gjithnjë e më tepër furnizimet me gaz natyror drejt Europës, Bashkimi Europian po përpiqet të gjejë burime alternative të energjisë.
BE-ja po kërkon ndihmë nga ofrues të tjerë të gazit, si për shembull Azerbajxhani, për të plotësuar boshllëkun e krijuar nga reduktimi i furnizimeve ruse, por Turqia është gjithashtu duke u pozicionuar për të luajtur rol kryesor për të mbajtur dritat e Europës ndezur gjatë këtij dimri.
Bashkimi Europian gjendet përballë një detyre madhore për të zëvendësuar gazin rus. Në vitin 2021, Moska siguronte rreth gjysmën e furnizimeve me gaz për kontinentin.
Azerbajxhani, i cili ka rezerva të mëdha të energjisë, është një vend që mund të ndihmojë në kompensimin e kësaj mungese, siç deklaroi presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, në vizitën e saj gjatë muajit korrik në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku.
“Për këtë arsye, Bashkimi Europian ka vendosur që të diversifikohet nga Rusia dhe të orientohet drejt partnerëve më të besueshëm. Dhe unë jam e lumtur të përmend Azerbajxhanin mes këtyre partnerëve.
Ju jeni me të vërtetë një partner i rëndësishëm për ne në fushën e energjisë dhe keni qenë gjithmonë partnerë të besueshëm”, tha ajo.Baku ka rritur furnizimet drejt Europës me gati një të tretën e tyre. Gazi shpërndahet përmes tubacionit Tanap, i cili kalon përmes Turqisë dhe Greqisë, duke u lidhur më pas me rrjetin e tubacioneve të Europës.
Siç thekson analisti Ilhan Uzgel nga portali i lajmeve “Kisa Dalga”, ky fakt e bën Turqinë që të ketë rol vendimtar për të ardhmen energjetike të Europës.
“Të gjitha tubacionet kalojnë përmes Turqisë dhe lidhen me gazsjellësin europian. Në këtë aspekt, Turqia është një vend tranzit. Ata po hartojnë shumë plane sipas të cilave Turqia mund të kthehet në një qendër energjetike. Kemi shumë vite që e dëgjojmë këtë retorikë, por ajo nuk është realizuar kurrë”, tha Uzgel.
Qendrat energjetike funksionojnë si qendra shpërndarjeje, me objekte magazinimi dhe me mundësinë për të shkëmbyer energji, duke rishitur gaz për blerës të ndryshëm.Rëndësia e Turqisë si një vend tranzit pritet të rritet.
Rezervat e mëdha të gazit nga Turkmenistani përbëjnë gjithashtu furnizime potencialisht të rëndësishme për Europën. Gazi mund të dërgohet në perëndim përmes Azerbajxhanit dhe tubacionit turk Tanap.
Eksperti i energjisë dhe ish-ambasadori turk në Katar, Mithat Rende, tha se Turqia po shqyrton disa projekte për të përmirësuar kapacitetet e saj në këtë drejtim.
“Një nga projektet mund të jetë rritja e kapacitetit të Tanapit, korridori jugor i dërgimit të gazit, i cili mund të realizohet në më pak se dy vjet. Projekti i dytë mund të jetë sjellja e gazit nga Iraku verior dhe për këtë do të nevojitej që të ndërtoheshin rreth 200 kilometra tubacion, kështu që nuk është një punë tepër e madhe. Por, për ta arritur këtë, nevojitet mbështetja e qeverisë federale në Irak”, tha Mithat.
Europa tashmë është duke rindërtuar infrastrukturën e saj të tubacioneve të gazit, për t’u përshtatur me ndryshimet në furnizime. Gjatë pjesëmarrjes në ceremoninë e hapjes së një gazsjellësi midis Greqisë dhe Bullgarisë, Von der Leyen nënvizoi rëndësinë e projekteve të tilla.
“Tubacionu do të ndryshojë të gjithë konfiguracionin. Ai do të përbëjë një ndryshim madhor për Bullgarinë dhe për sigurinë energjetike të Europës. Dhe kjo do të thotë liri. Do të thotë liri nga varësia ndaj gazit rus”, tha ajo.
Tubacioni greko-bullgar po furnizohet nga gazi i Azerbajxhanit që dërgohet nëpërmjet Turqisë.
Teksa Europa po i largohet varësisë nga gazi rus, ajo do të bëhet gjithnjë e më shumë e varur nga Turqia si një vend tranzit, të paktën në planin afatmesëm. Disa ekspertë paralajmërojnë se kjo gjë mund të krijojë sfidat e veta, duke pasur parasysh marrëdhëniet e tensionuara të kohëve të fundit mes BE-së dhe Ankarasë. / Voa News

Burimi