U kap me drogë, arrestohet në Turqi efektivi i Policisë Rrugore

Një efektiv i Policisë Rrugore është arrestuar në Turqi pasi është kapur me drogë. Sipas burimeve, në pranga ka rënë efektivi Florenc Bicerri, i cili ka udhëtuar nga Rinasi drejt Turqisë më 5 tetor. Efektivi ka qenë i shoqëruar me Kujtim Çelikun.

Çeliku rezulton i dënuar më përpara për vjedhje. Të dy këta persona pasi kanë kaluar pikën kufitare kanë udhëtuar drejt Stambollit. Autoritetet turke kanë arrestuar efektivin e rrugores Florenc Bicerrin dhe Kujtim Çelikun pasi u kapën me një sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike në një parking në Turqi.

Në saj të këtij operacioni në pranga ra gjithashtu edhe një tjetër shqiptar, i identifikuar si Adrian Qirici. Në hetime janë përfshirë edhe Pika Kufitare e Rinasit, kjo për shkak se në datën 2 dhe 8 të këtij muaji në Stamboll janë arrestuar dy shtetas turq pasi u kapën me drogë. Këta të fundit ishin nisur nga Rinasi drejt Turqisë.

Kujtim Çeliku, i arrestuar në Turqi bashkë me efektivin e Policisë Rrugore Florenc Bicerri, nuk është emër i panjohur për organet e drejtësisë. Ai më herët ka qenë oficer i ushtrisë në repartin e forcave speciale “Komando”, ndërsa në 2011-ën u arrestua për grabitje. Oficeri që kishte kryer 5 misione paqeruajtëse në Irak e Afganistan, përfundoi në pranga, pasi kërkohej për grabitjen e një biznesmeni në Durrës.

Ndaj Çelikut kishte një urdhër-ndalimi nga Prokuroria e Durrësit në atë kohë pasi në bashkëpunim me 3 persona të tjerë kanë grabitur një biznesmen, i cili merrej me tregti floriri. Atij i vodhën çantën me 176 unaza floriri, me një vlerë prej 30 milionë lekësh. Pas arrestimit, Çelikut gjatë kontrollit në banesë, në Mullet të Tiranës, u gjetën municione dhe kallëpe tritoli, që i mbante pa leje.

Ngjarja për të cilën akuzohet dhe ishte shpallur në kërkim Kujtim Çeliku, ka ndodhur më 29 maj 2011, rreth orës 14:15, pranë tregut industrial, në lagjen nr.17, të qytetit të Durrësit. Grabitja e një sasie floriri, 176 unaza, me vlerë 30 milionë lekë, bëri që dy persona të vihen në pranga dhe dy të tjerë të shpalleshin në kërkim. Fillimisht, u arrestuan në flagrancë Ermal Sallaku, 22 vjeç dhe Florjand Hida, 23 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Për këtë ngjarje, Policia e Durrësit shpalli në kërkim edhe Kujtim Çelikun, 33 vjeç dhe Elton Ruçin, 31 vjeç. Sipas Policisë, katër të dyshuarit kishin kohë që po planifikonin grabitjen, dhe sasia e floririt të grabitur ishte menduar të rifutej në treg te disa tregtarë të tjerë floriri, po në qytetin e Durrësit. Ata kishin bërë një vëzhgim të detajuar të lëvizjeve të biznesmenit të floririt, që nga momenti që ai dilte nga banesa e tij, e deri në kohën kur futej në dyqanin ku tregtonte floririn.

Më 29 maj, të dyshuarit kanë zbatuar një plan duke mundur të grabisin një çantë me bizhuteri nga bagazhi i automjetit tip “Benz” me targë DR 9195 C. Nga ndërhyrja e një qytetari dhe një efektivi policie, të ndodhur në vendin e ngjarjes rastësisht, është bërë e mundur kapja e njërit prej autorëve dhe më pas është arrestuar edhe i dyti.

Policia e Shtetit ka përjashtuar përgjithmonë nga radhët e policisë, efektivin Florenc Bicerri që u kap me drogë në Turqi.

“Në lidhje me një rast të trafikimit të lëndëve narkotike, të goditur nga autoritetet turke ju sqarojmë se: Policia e Shtetit, në bashkëpunim me homologët turq, në lidhje me një rast trafikimi të lëndëve narkotike, në të cilin janë të përfshirë 3 shtetas shqiptarë, njëri prej tyre punonjës policie, ka ngritur një grup të dedikuar hetimor, për hetimin e rastit. Sqarojmë se punonjësi i Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë, shtetasi Florenc Bicerri, tashmë i arrestuar në Turqi, ka dalë nga Shqipëria, nëpërmjet Rinasit, më datë  05.10.2022. Për këtë punonjës policie, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar përjashtimin e menjëhershëm dhe përgjithmonë, nga Policia e Shtetit. Ndërkohë, grupi i dedikuar hetimor, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore dhe me homologët turq, po vijon punën për zbardhjen e rrethaneve të rastit, evidentimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë rast të trafikimit të lëndëve narkotike”, njofton Policia.

Florenc Bicerri

Lexo me shume