UET nderon me certifikatë mirënjohje Arbana Osmanin; figurë mediatike me impakt publik e human   

Një studente e gazetarisë që u kthye në një fenomen shoqëror dhe kulturor. Programet televizive të moderuara prej saj janë kthyer jo vetëm në qendër të diskutimeve, por edhe e kanë emancipuar jetën publike dhe sociale shqiptare. Ishte kjo nxitja që Fakulteti i Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale në UET  mori nga figura e Arbana Osmanit, për ta vlerësuar atë me një Certifikatë Mirënjohjeje. Një vlerësim i rëndësishëm që  UET u akordon personaliteteve nga fusha të ndryshe të jetës publike, për secilin nga pesë fakultetet e tij.

E emocionuar për nderimin, moderatorja dhe gazetarja Osmani ndau me të rinjtë që studiojnë në UET fillimet e karrierës dhe sekretet që e shtyjnë çdo ditë përpara, në jetën e saj profesionale. “Kur mbarova shkollën e mesme, edhe pse i kisha idetë e qarta çfarë duhet të bëja, pata një moment dyshimi nëse do të vazhdoja studimet për Gazetari”, kujtoi ajo. E shoqëruar nga prindërit, ajo pohoi se ata kishin ambicie të tjera për të, larg gazetarisë. “Gjatë gjithë verës, studiova shumë për Shkenca Politike dhe Juridik dhe aspak për Gazetari. U investova tek ato dy  degë si më të rëndësishme, duke menduar se gazetaria aty ishte, mund të bëhej edhe si fakultet i dytë. I fitova të trija dhe zgjodha Gazetarinë.  Kuptova se ishte ajo që kisha dashur dhe doja të bëja”, kujtoi më tej ajo. Me shaka, pohoi se nuk kishte qenë studente ekselente apo korrekte me mungesat dhe oraret, por në një farë mënyre ia kishte dalë. Mirënjohëse për pedagogët, ajo shtoi se shkolla ku studioi ndikoi në formimin profesional.

Ky vlerësim, iu dha zonjës Osmani me motivacionin, për moderimin e shkëlqyer televiziv dhe impaktin publik e human si figurë mediatike, duke dëshmuar vetë-përmbajtje profesionale të spikatur dhe shërbyer njëkohësisht si një model i qëndrueshëm suksesi në ekranin e Top Channel, mbështetur tek vlerat më të mira të përkushtimit profesional dhe njerëzor ndaj audiencave dhe publikut.

Ajo u ndal te rrugëtimi i saj në institucionin, ku ende punon dhe zhvillon karrierën e saj, duke kujtuar një sërë emrash dhe figurash të njohura mediatike, e deri te bashkëpunëtorët e sotëm, si Lori dhe Sara Hoxha, në programin Big Brother Albania Vip. “Popullariteti që gëzoj për shkak të programeve dhe e gjithë puna ime, ka një vlerë të shtuar se kam punuar dhe vazhdoj të punoj në televizionin me të  fuqishëm në Shqipëri”, tha ajo.

Osmani falënderoi edhe studentët e UET, si pjesë e publikut të saj, duke i çmuar pëlqimet që merr nga ata në rrjetet sociale, po aq sa edhe titulli i mirënjohjes akorduar nga universiteti.

Ajo zbuloi se ishte e emocionuar si Ditën e Abetares, duke evokuar thuajse tri dekada në kohë, kur prindërit e ndiqnin njësoj nga salla, si në marrjen e këtij titulli nga presidenti i UET, Selami Xhepa. “Disa  gjëra nuk ndryshojnë”, tha ajo.

Si një profesioniste e shndërruar në fenomen socio-kulturor të Shqipërisë aktuale, ajo vetë është një produkt i tranzicionit, ku formimi i saj arsimor dhe më pas kontributi profesional është shpërfaqur në këto tri dekada pluralizëm.

Kuintesenca e jetës profesionale të Arbana Osmanit janë programet me natyrë të komunikimit masiv, ku ajo mbetet një  figurë qendrore dhe e qëndrueshme e tyre. Përmes profesionalizmit, përgatitjes dhe vetëpërmbajtjes ka arritur, përmes programeve, të evidentojë tipa, karaktere, fenomene, marrëdhënie dhe grupe shoqërore që përndryshe nuk do të kishin mundësi të artikuloheshin në televizion. Personazhe dhe programe që kanë ndezur shpesh debate konstruktive në shoqëri, jo vetëm tek njerëzit e thjeshtë, por edhe auditorët e universiteteve.

Dekania e Fakultetit të Shkencave Humane në UET, Belina Budini tha se shpesh programet e moderuara nga Arbana Osmani kanë qenë pjesë e diskutimeve në aulat e universitetit, duke u bërë raste studimore të mendimit kritik. “Arbana Osmani nuk është vetëm personazh i spektaklit, por është një ndikuese. Një ndikuese me kodet profesionale, kontributin profesional, në regjistra etikë, sepse ka të bëjë me audienca të mëdha”, u shpreh zonja Budini.

Presidenti i UET, Selami Xhepa vlerësoi traditën e mirë të nisur nga ky universitet prej pesë vitesh tashmë, duke vlerësuar personalitete me kontribute në fusha të ndryshme. Xhepa e cilësoi si institucion të mirënjohjes që e gjithë shoqëria duhet të ketë ndaj individëve, që lënë gjurmë në sektorët dhe fushat ku operojnë.

Në një bisedë me të rinjtë, të cilët kishin pyetje dhe kuriozitete për moderatoren, edhe përtej jetës profesionale, ndërsa ajo është bërë nënë për herë të tretë para pak kohësh, ndau edhe më të rejat në lidhje me programet që ajo prezanton.

Osmani zbuloi se Big Brother Vip do të nisë në dhjetor dhe në të njëjtën kohë, ajo do të jetë e angazhuar me Festivalin e Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, si prezantuese e këtij viti. Ajo foli për kohën që i dedikon familjes, ndihmesën e prindërve, bekimin me vajzë pas dy djemve dhe po ashtu projektin e filmit më të ri, të bashkëshortit të saj, regjisorit Eduart Grishaj.

Për t’ia dalë mbanë, ajo u tha të rinjve që nëse shkohet me përgjegjësi, vërtetësi dhe sinqeritet, gjithmonë ia del mbanë në çdo fushë. Arbana Osmani u nderua me këtë titull, ndërsa një javë më herët certifikatë mirënjohjeje nga UET për kontributin në fushën e tij, mori guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.

Lexo me shume