Ukraina kërkon që në portet e rajoneve të aneksuara të mos zbatohen kërkesat ruse

Kërkesa e administratës së instaluar nga Rusia në rajonin e Hersonit që anijet e huaja gjatë qëndrimit të në këtë port të ngrenë flamurin e Federatës Ruse është e paligjshme, pasi dhe vetë porti është mbyllur që nga muaji prill, tha zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Ukrainës, Oleh Nikolenko.

“Ne jemi të vetëdijshëm për kërkesën e administratës së instaluar nga Rusia në rajonin e Hersonit që anijet e huaja të ngrenë flamurin rus – si flamur shtesë, gjatë qëndrimit të tyre në këtë port”, tha ai të premten.

“Kërkojmë vëmendjen tuaj për faktin se ministria e Infrastrukturës së Ukrainës miratoi urdhrin nr. 256 të datës 28 prill 2022 për mbylljen e porteve detare të Berdjanskut, Mariupolit, Skadovskit dhe Hersonit deri në rivendosjen e kontrollit ukrainas mbi to. Prandaj, çdo vendim apo kërkesë e përfaqësuesve të administratës pushtuese ruse, në veçanti të administratës së portit, është e paligjshme dhe nuk mund të zbatohet”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.

Ministria e Jashtme përmendi gjithashtu rezolutën e 12 tetorit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Rezoluta “dënon organizimin e të ashtuquajturave referendume nga Federata Ruse brenda kufijve të Ukrainës të njohur ndërkombëtarisht ”. Po ashtu, aty dënohen “përpjekjet për aneksim ilegal” të Hersonit, Zaporizhjës, Donjeckut dhe Luhanskut, dhe kërkohet nga të gjitha palët që të mos njohin ndryshimin e statusit të territoreve të Ukrainës të pushtuara përkohësisht nga ushtria ruse.

“Rajoni i Hersonit është territor ukrainas në të cilin zbatohet vetëm sovraniteti dhe legjislacioni i Ukrainës.… ministria e Punëve të Jashtme të Ukrainës ua kujton pronarëve dhe anëtarëve të ekuipazhit të anijeve të huaja që qëndrojnë në portet e Ukrainës, veçanërisht në territoret e pushtuara përkohësisht, nevoja për t’iu përmbajtur rreptësisht legjislacionit ukrainas dhe ligjit ndërkombëtar”, tha ministria.

Ukraina dhe aleatët e saj i cilësuan referendumet si ilegale dhe thanë se disa votues u detyruan, nën kërcënimin e armëve, që të merrnin pjesë në votime./REL

Lexo me shume