Ukraina thirrje refugjatëve: Kalojeni dimrin jashtë shtetit për shkak të problemeve me energjinë elektrike

Për shkak të mungesës së energjisë dhe ngrohjes, Qeveria në Ukrainë u ka bërë thirrje banorëve të ikur nga lufta, që të mos kthehen deri në pranverën e vitit të ardhshëm.

“Nëse keni mundësi, kalojeni dimrin jashtë shtetit!” ka thënë zëvendëskryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk të martën në televizionin kombëtar.

Sistemet e energjisë janë jostabile për shkak të sulmeve ruse, ka thënë ai.

“Ju e shihni çfarë është duke bërë Rusia, secili e sheh atë gjë. Ju, fëmijët tuaj, gjithë familjarët tuaj që janë të sëmurë, kanë pak mundësi për të lëvizur apo janë edhe në moshë”, ka thënë Vereshchuk.

“Ne duhet të tejkalojmë këtë dimër”.

Mirëpo ajo ka thënë se pranverën e ardhshme mezi pret të shohë njerëzit duke u kthyer për të rindërtuar atë që është shkatërruar dhe për të dërguar fëmijët në shkollat ukrainase.

Ushtria ruse ka përdorur raketat dhe sulmet me dronë prej 10 tetorit, për të shkatërruar shumë objekte që ofrojnë shërbime të energjisë dhe ngrohjes në Ukrainë.

Qeveria e Kievit ka thënë se Moska synon që të thyejë gatishmërinë e Ukrainës për të rezistuar, dhe që të nxisë një valë të re të refugjatëve në shtetet tjera evropiane.

Sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, rreth 7.7 milionë refugjatë janë regjistruar në shtetet tjera evropiane prej kur ka nisur lufta e Rusisë në Ukrainë më 24 shkurt.

 

Lexo me shume