Ukraina zgjohet nga sirenat e alarmit, dronët rusë sulmojnë në qendër të Kievit

Të paktën tre shpërthime janë dëgjuar në kryeqytetin ukrainas Kiev, pasi sirenat e sulmit ajror u ndezën.

Kryebashkiaku Vitalii Klitschko tha se ndërtesat e banimit në zonën qendrore të Shevchenkivskiy janë dëmtuar.

Andriy Yermak, kreu i zyrës së Presidentit Zelensky, tha se sulmet ishin nga të ashtuquajturat dron kamikaze.

Kjo vjen një javë pasi kryeqyteti u godit nga disa raketa ruse në orën e pikut, në një sulm mbarëkombëtar që la 19 të vdekur, shkruan BBC.

Duke shkruar në faqen e mediave sociale Telegram, Klitschko tha se shpërthimet ishin në lagjen Shevchenkivskiy, që u godit nga disa sulme javën e kaluar. Ai tha se ekipet e shpëtimit ishin në vend dhe u tha banorëve të qëndronin në strehimoret e sulmeve ajrore.

Yermak tha në Telegram se sulmi ishte nga dronët kamikaze dhe se Ukraina kishte nevojë për më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore sa më shpejt të jetë e mundur.

Dronët, që thuhet se i janë furnizuar Rusisë nga Irani, mund të qëndrojnë pezull për orë të tëra përpara se të zhyten në objektiva dhe të shpërthejnë. Ukraina thotë se Rusia i ka përdorur më parë. Irani mohon furnizimin e tyre me Rusinë dhe Rusia nuk ka komentuar.

Presidenti rus Vladimir Putin tha se sulmet e javës së kaluar ishin si hakmarrje për bombardimin e një ure kyçe që lidh Rusinë me Krimenë e pushtuar, për të cilën ai fajësoi Ukrainën. Ishte hera e parë gjatë luftës që qendra e Kievit u vu në shënjestër të drejtpërdrejtë.

Në fillim të kësaj jave, Putin tha se nuk kishte nevojë për më shumë sulme në shkallë të gjerë në Ukrainë. Shumica e objektivave të përcaktuara ishin goditur, tha ai, duke shtuar se qëllimi i tij nuk ishte të shkatërronte vendin. /abcnews.al

 

Lexo me shume