Ukraina zhytet në errësirë, sulmet e rusëve godasin qëllimisht objektet energjitike

Sulmet me raketa ruse dhe bombardimet e ndërmarrjeve të energjisë lanë më shumë fshatra e qytete të Ukrainës pa energji të mërkurën, duke vështirësuar më shumë situatën për miliona banorë teksa dimri  afrohet.
Presidenti Volodymyr Zelensky u kërkoi përsëri ukrainasve që të bëjnë “një përpjekje shumë të madhe” për të kursyer energjinë.

Sipas tij, rreth një e treta e stacioneve elektrike të Ukrainës janë shkatërruar vetëm gjatë javës së shkuar. Vetëm në kryeqytetin Kiev, sulmet ajrore dëmtuan dy impiante energjitike dhe vranë dy persona. Sulmi la 50,000 qytetarë pa energji elektrike.
Bombardimet kanë ndërprerë përveç energjisë edhe ujin në disa pjesë të Enerhodarit dhe jo vetëm. Qyteti jugor është ngjitur me termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia, i cili është një nga pikat më shqetësuese të pushtimit gati tetë-mujor.
Një breshëri gati dy-javore e sulmeve ruse me raketa, dronë shpërthyes vetëshkatërrues dhe armë të tjera në infrastrukturën kritike të Ukrainës kanë hapur një fazë të re në luftën e presidentit rus Vladimir Putin dhe kanë testuar më tej qëndrueshmërinë që ukrainasit kanë treguar që nga pushtimi i Moskës.
Ukraina thotë se Rusia po merr mijëra dronë nga Irani. Dronët Shahed, të prodhuar në Iran, që goditën objektivat në Kiev, janë përdorur gjerësisht nga Rusia, në javët e fundit.
Vendet perëndimore kanë premtuar më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore për të ndihmuar Ukrainën kundër sulmit ajror.

Top ChannelLexo me shume