Varhelyi ekskluzivisht për Abc: Shpresë për liberalizimi e vizave për Kosovën në fund të vitit

Nga Erisa Zykaj

Komisioni Europian, një ditë më parë, i konsideroi të përmbushura të gjitha kriteret që qytetarëve të Kosovës, t’u hiqen vizat për të hyrë në vendet europiane. Oliver Varhelyi, komisioneri përgjegjës për politikën e fqinjësisë dhe zgjerimit të BE-së, një ditë më pas, deklaroi në një intervistë ekskluzive për ABC, se shpreson që kjo të ndodh deri në fund të këtij viti.

“Nuk ka asgjë që vjen thjesht nga besimi. Besimi ynë vjen vetëm bazuar në punën që është bërë. Nga ana jonë, ne po bëjmë çmos që kjo të kryhet. Shoh gjithashtu një angazhim shumë më të madh nga qeveria e Kosovës. Dhe besoj, që kjo do të sjellë rezultat në fund të vitit”

Sa i përket Shqipërisë, Varheli u shpreh se vendi ka bërë progres, në përmbushjen e kritereve për integirmin europian, pas hapjes së negociatave më 19 korrik të këtij viti. Megjithatë, e theksoi se  situata politike është gjithmonë e ndjeshme në vendin tonë dhe përcolli një mesazh për këtë; që dy palët të punojnë së bashku.

“Përsa kohë që unë kam ndjekur situatën politike në Shqipëri, ajo është vazhdimisht e ndjeshme. Kriter kyç për ne është të ketë marrëveshje midis forcave politike për reformat madhore të domosdoshme në vend për anëtarësimin në BE dhe dakordësi në gjirin e klasës politike për këtë qëllim. Në Shqipëri, integrimi europian nuk është venë kurrë në dyshim dhe vijimi me reformat në Kuvendin e Shqipërisë dhe nga qeveria shqiptare ka qenë i qëndrueshëm. Shpresoj, që vendi mund të vazhdojë në këtë rrugë”.

Ndërsa Shqipëria është në proces përafrimi të legjislacionit me atë të BE-së, Varhely theksoi se integrimi me të drejta të plota do të ndodh atëherë kur vendi do e meritojë një gjë të tillë; pra do të ketë përmbushur të gjitha kriteret.

“Subjekti është i njëjtë: si dhe kur këto vende mund të zbatojnë legjislacionin e Bashkimit Europian, për çfarë investimesh ato do të kenë nevojë që kjo të realizohet  dhe kur do të përafrohen totalisht me rregullat dhe vlerat e Bashkimit Europian. Pra, nuk shoh diferencë midis tyre. Prandaj, procesi është i bazuar në meritë. Kryqëzoj gishtat për Shqipërinë që vendi të ecë përpara. E shoh impaktin pozitiv të hapjes së negociatave në vend dhe shpresoj, që vendi të ecë edhe më shpejt drejt BE-së”.

Sulmi rus në Ukrainë ka vënë disa prioritet të tjera në plan të parë në raportin midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.  Pikërisht me 3 nëntor, komisioneri Varhely do të prezantojë një propozim i Komisionit Euuropian për furnizimin me energji të Ballkanit Perëndimor.

“Ne po kontaktojmë partnerët tanë në Ballkan për të mësuar se cilat janë sfidat kryesore, që ata hasin në fushën energjetike. Në bazë të kësaj, ne do bëjmë propozimin tonë lidhur me energjinë e rinovueshme, efikasitetin energjetik, furnizimin me gaz apo me energji nga vende të reja furnizuese. Ne shpresojmë, që në bazë të angazhimit tonë me Egjiptin, të mund të sjellim energji të gjelbër nga Egjipti drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor sa më shpejt të jetë e mundur. Kemi edhe shumë ide të tjera. Kështu që ju ftoj të prisni 3 nëntorin”.

 

 

Lexo me shume