Veprimet me e-banking u rritën me 19% në tremujorin e parë të vitit_6643e5679716a.jpeg

Veprimet me e-banking u rritën me 19% në tremujorin e parë të vitit

Veprimet e bankingut në distancë (home banking), nëpërmjet internetit ose telefonit celular, u rritën përsëri me ritme të larta në tremujorin e parë të këtij viti.
Sipas Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e parë të këtij viti, numri i transaksioneve në distancë arriti në pak më shumë se 2 milionë, në rritje me 19% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rritja është pak më e lartë në vlerën e veprimeve të kryera, që arriti në 528.4 miliardë lekë, pothuajse 21% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Aktualisht, bankat tregtare në Shqipëri i ofrojnë të gjitha shërbimet e bankingut në distancë, çka nënkupton se çdo klient i sektorit bankar ka në dispozicion një kanal alternativ për kryerjen e pagesave.
Tashmë, transaksionet nëpërmjet kanaleve dixhitale po dominojnë në mënyrë të qëndrueshme strukturën e trasnfertave të kreditit të kryera nëpërmjet sistemit bankar.
Për tremujorin I 2024, transfertat nga kanalet dixhitale përbënin 58% të numrit total të transfertave bankare, në rritje të mëtejshme nga pesha prej 57% që kishin vitin e kaluar.
Për çdo individ apo subjekt që zotëron një llogari bankare, pjesa dërrmuese e pagesave dhe transfertave tashmë mund të kryhet nëpërmjet internetit, pa qenë më nevoja për të shkuar fizikisht në bankë.
Përjashtim, për momentin, bëjnë vetëm transfertat ndërkombëtare që në përgjithësi duhet të urdhërohen në formë letër, me praninë fizike të klientit.
Koncepti i home banking përfshin ato veprime bankare që urdhërohen pa qenë nevoja që klienti të shkojë fizikisht në bankë. Kanalet kryesore përmes të cilat kryhen këto veprime janë internet banking apo mobile banking.
Në vitet e fundit këto shërbime po shkrihen me njëri-tjetrin, sepse shumica e bankave e ofrojnë shërbimin e internet banking paralelisht edhe nëpërmjet aplikacioneve në telefonat celularë, me qëllim për t’iu përshtatur tendencës së dukshme drejt mobilitetit në përdorimin e internetit.
Numri i llogarive bankare të lidhura me internetin në fund të vitit 2023 arriti në pothuajse 1.1 milionë mijë, në rritje vjetore me 25%. Vlerësohet se tashmë 34% e llogarive bankare aktive janë të aksesueshme nga interneti, nga 28.2% që kishte qenë ky tregues në fund të vitit 2022.
Më shumë se 90% e numrit të llogarive bankare të rezidentëve të lidhura me internetin i takojnë individëve. Megjithatë, rritja më e madhe e llogarive të lidhura me internet vitin e kaluar u shënua në segmentin e bizneseve, me 25% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Përdorimi i pagesave nga kanalet elektronike është nxitur edhe nga Banka e Shqipërisë, nëpërmjet masave rregullatore. Që prej qershorit të vitit 2020, të gjitha transfertat ndërbankare deri në vlerën e 20 mijë lekëve që kryhen nëpërmjet kanaleve elektronike duhet të ofrohen nga bankat pa asnjë komision.
Ndërkohë, për shumat më të mëdha transfertat elektronike kanë komisione të paktën 50% më të lira krahasuar me ato që kryhen nga sportelet e bankave.
E njëjta politikë u ndoq edhe në rregulloren për transfertat kombëtare në euro, ku komisionet për transfertat elektronike duhet të jetë maksimalisht sa 50% e komisioneve të pagesave që kryhen në degët e bankave./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Burimi