Vetingu – Shkarkohet nga detyra prokurori i Elbasanit

Prokurori i Elbasanit Petref Asllani është shkarkuar nga detyra. Vendimi u njoftua këtë të martë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Gjatë seancës dëgjimore, zhvilluar më herët gjatë muajit, Asllanit iu vu në dukje se kishte bërë deklarime të paqarta, kishte kontrata kontradiktore mbi transaksionet dhe kishte mungesë burimesh për pasurinë në shumën mbi 6 milionë lekë.
Asllani, hetimi administrativ i të cilit u krye nga trupa me kryetar Olsi Komici, anëtare Valbona Sanxhaktari ndhe relatore Firdes Shulin, hodhi poshtë problemet e gjetura nga KPK. Ai po ashtu u përpoq të sqaronte kontratat kontradiktore noteriale dhe deklarimet e ndryshme, gjatë një seance të gjatë me pyetje e përgjigje nga relatorja Shuli dhe vëzhguesi Ferdinando Buatier. Gjatë seancës Asllani u përfaqësua nga avokati Fatmir Lushi.
Asllani është përballur edhe më herët me dyshimet për pasurinë e tij. Ai u akuzua për një skemë përfitimi kredie të butë së bashku me gjyqtarin Qani Hasa, por u shpall i pafajshëm në maj 2016. Vendimi i pafajësisë u la në fuqi edhe në Apel. Nga ana tjetër Hasa u gjet fajtorë për kryerjen e veprës penale “refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë” dhe u shkarkua nga detyra në vitin 2017.

Burimi