Video/ Goditje dënimi befasuese, Ujka shtang Vllazninë në Shkodër: Osmani në krizë, 5 ndeshje pa fitore

Vllaznia befasohet 1-2 nga Laçi, në javën e 31 të Superiores. Cungu fiton në Shkodrën e tij të dashur dhe mban larg zonën e rënies, por edhe pas Teutën që po tenton parakalimin. Vllaznia tani rrezikon të arrihet nga Partizani në vendin e dytë, me egnatian që ka shansin e shkëputjes. Kuqeblutë janë të përfshirë nga një krizë që Laçi vetëm sa e konfirmoi me 1-2 e rrëmbyer me përmbysje në Loro Boriçi. Vendosi Ujka, me një goditje dënimi, pasi Hakaj e Tresa kishin ruajtur ekuilibrin.
E të mendosh që për mënyrën si u luajt pjesa e parë u krijua idea për një dominim të shkodranëve, që nisi nga tentativa e Grudës në minutën e 8′ e vazhdoi me devijimin e Çobës në të 16′ për të mbërritur te goli i avantazhit kuqeblu. Goli në fakt ishte më shumë fat, në devijimin fatkeq të Kurtit të krosimit të Hakaj, por që solli një avantazh të merituar. Laçi bëri fare pak në pjesën e parë, edhe pse mund të bënte keq me Da Silvën, në minutën e 32’ dhe u limitua të priste të shihte gabimet në fazën konkluzive të kundërshtarit: jashtë në të 37 me Alivodën e huq për tu harruar i Balaj në fundin e pjesës së parë.
Video/ Goli i Hakaj
PËRMBYSJA KURBINASE
Aty Cungu vendosi të ndryshonte dhe transformoi ekipin e tij në të dytën me Tresën e Myrtën për Mjakin e Kryeziun. Ritëm tjetër e pikërisht të dy kombinuan në të 57 për golin e barazimit të Laçit me goditjen spektakolare të 18 vjecarit të mesfushës. Vllaznia e përhumbur në një vetëkënaqësi të avantazhit që kishte arritur, nuk ngriti dot më kokë, pavarësisht dëshirës së Balajt dhe ngatërresave në mbrojtje që bënin hera herës kurbinasit.
Video/ Goli i Tresës
Befasia sidoqoftë ishte rezervuar për në fund, në minutën e 82′ kur Laçi shënoi golin e përmbysjes. Një goditje dënimi i Serxho Ujkës përfundoi direkt në rrjetë, me portierin Qarri të mashtruar nga lëvizja e mbrojtësit brazilian që po sulmonte topin. Vllaznia treghoi se ka humbur diçka nga ingranazhet që e bënë makinerinë e Osmanit të vraponte drejt vendit të dytë, duke kërcënuar madje edhe kreun. Ndeshja e pestë radhazi pa fitore mes kampionatit e Kupës dhe kuqeblutë po shkojnë drejt finales së sezonit në mënyrën që nuk duhet.
Video/ Goli i Ujkës

Burimi