Kreu i PD Sali Berisha dhe kreu i PL Ilir Meta kanë firmosur sot marrëveshjen për zgjedhjet vendore.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, kreu i PD dhe i PL zhvilluan një konferencë të përbashkët për mediat. Gjatë fjalës së tij Berisha tha se bisedimet brenda opozitës, diktohen nga statuti, duke shtuar se kjo është marrëveshja më e përsosur e firmosur ndonjëherë.
Pjesë nga deklarata:
Pyetje: Ditën e sotme firmosni marrëveshjen me PL, por si po shkojnë bisedimet me grupin parlamentar të PD dhe a ka shanse të dilni me një kandidat? Sa është numri i bashkive që synoni të fitoni me 14 maj?
Berisha: Këtu përfaqësohen dy forca politike të ndryshme me statute të ndryshme dhe bisedimet kanë sjellë një marrëveshje historike për misionin. Bisedimet brenda PD , diktohen nga kuadri statutor i PD, bisedime mes anëtarësh mes deputetëve të PD që pavarësisht mendimeve gëzojnë të drejta dhe detyrime statutore. PD edhe në statut, por edhe po të mos e kishte në statut nenin e fraksioneve çdo forcë demokratike është e detyruar të detyrojë brenda saj debatin dhe një parti që vendos fraksione në statut është dy herë me e detyruar.
Pyetje: Si do të bashkëpunojë PD dhe PL?
Meta: Nuk jemi për tu marrë me çështje teknike. PD dhe PL do të kenë një kandidat në çdo bashki të vendit. Kjo është e padiskutueshme dhe i ftojmë ata që janë në opozitë të jenë bashkëpunues sepse ky është qëllimi kryesor i opozitës sot. Sa ti takon primareve e kam përshëndetur si risi. Ka nisur prej kohësh nga ana e PD, mund të ketë pasur diskutime të ndryshme, pasi e kam bërë të qarte se jemi në kushtet e një regjimi mafioz, por qëllimi ynë kryesor duhet të jetë fitorja e zgjedhjeve të ardhshme vendore dhe triumfi i qytetarëve në pushtetin vendor. Nuk del kryetari nga zarfet që i shkojnë kryetarit. Pra është koha për të parë interesin më të madh të opozitës dhe demokracisë që është plagosur shumë në këtë vend.
Berisha: Dy janë qëllimet, shkallmimi i absolutizimit të Edi Ramës dhe groposja politike e zdromsit të Tiranës në Sharrë, e karrierës politike, po përdor një term që e nxori vetë.
(BalkanWeb)
br> br>Lexo me shume