VIDEO/ Mbyllet me zhgënjim ndeshja e Ballkanit, Sivasspor fiton me përmbysje

Duhej të ishte një festë në stadiumin Fadil Vokrri dhe në fakt Ballkani i gëzoi tifozët me golin e Thaqit në pjesën e parë. Por, pjesa e dytë nuk ishte ndër më të mirat për mënyrën e interpretimit nga vendasit që shpërdoruan disa mundësi të mira dhe më pas në harkun e nëntë minutave pësuan dy gola që sollën përmbysjen e miqve për të fiksuar shifrat në rezultatin 1-2. Ballkani mbetet i fundit në Grupin G të Conference League dhe ndërlikon rrugën e kualifikimit.

Sa i takon pjesës së parë, të besuarit e trajnerit Ilir Daja e nisën disi si të ngurtë sfidën, megjithatë me kalimin e minutave vendasit morën frenat e lojës në dorë. Shansi i parë i takoi Rrahmanit që nga fare pranë portës nuk u kordinua siç duhej duke e dërguar topin shumë larg kuadratit. Pas tre minutave ishte Dellova që provoi nga distanca, por portiere Vural u përgjigj në mënyrën e duhur. Megjithatë, gardiani i turqve u dorëzua në golin e shënuar nga ana e Armend Thaqit.

Anësori goditi tokazi dhe mposhti Vural që mund të bënte më tepër. Momenti i mirë për Ballkanin vijoi, por Krasniqi u ndal në minutën e 43-të nga Vural ndërsa në të 45-tën, Goutas shpëtoi skuadrën e tij nga një pasim në zonë i Rrahmanit. Me rezultatin 1-0 u mbyll pjesa e parë, ndërsa fraksionin e dytë, Ballkani e nisi aty ku mbylli 45-minutat e para, në sulm. Rasti më i mirë iu shfaq Krasniqit në një kundërsulm, por sulmuesi u tregua egoist duke mos pasur ndërsa u ndal nga Vural. Në vazhdim, Zyba dhe Korenica provuan nga distanca por pa ia dalë të gjenin rrugën e rrjetës. Nga minuta e 60-të, Sivasspor rriti ndjeshëm ritmin dhe në të 72-tën gjeti golin e barazimit pas një goditje me kokë të Hakan.

Nëntë minuta më pas, turqit goditën sërish këtë herë me Angielskën që devijoi saktë në rrjetës e Frashërit një top në brendësi të zonës. Ballkani provoi të reagonte, por miqtë rezistuan dhe në fund dolën me tre pikë nga stadium “Fadil Vokrri”.

Pas kësaj disfate, Ballkani renditet në vendin e fundit të Grupit G në Conference League me katër pikë pas katër ndeshjeve të luajtura, ndërsa Sivasspor merr kreun pasi prek kuotën e shtatë pikëve. Gjithsesi, në dy ndeshjet e ardhshme, sërish Ballkani do të luaj gjithçka për gjithçka pasi edhe Slavia Pragë është në kuotën e katër pikëve, ndërsa Cluj është shtatë sa Sivasspor. Ndeshja e radhës për Ballkanin është ajo ndaj Slavia Pragë, sërish në “Fadil Vokrri”.

Komenti:

81′ Gooool! Sërish Sivasspor, turqit ndëshkojnë Ballkanin dhe përmbysin ndeshjen. Shënon Agielski

72′ Gooool! Sivasspor ndëshkon Ballkanin me Hakan që ndëshkon me kokë Frashërin

66′ Sivasspor shfaqet sërish në zonën e Ballkanit, por këtë herë Frashëri pret i sigurt

63′ Frashëri gabon në dalje, për fat Sivasspor nuk arrin të përfitojë me portën e boshatisur

60′ Korenica guxon dhe tenton nga një distancë e konsiderueshme, sulmuesi vendos në vështirësi portierin Vural me “predhën” e tij, me aksionin që më pas ndalet për një pozicion jashtë loje të Rrahmanit

53′ Sërish vendasit, këtë herë është Zyba që provon nga distanca por portieri Vural kundërpërgjigjet

51′ Ballkani pranë golit të dytë, por Krasniqi bën gjithçka gabim dhe shpërdoron një shans të artë me gardianin Vural që i jep fund aksionit të Dardanëve

45+1′ Mbyllet pjesa e parë në “Fadil Vokrri”, Ballkani në avantazh të një goli. Të besuarit e trajnerit Daja i shkuan shumë pranë edhe të dytit, por Sivasspor shpëtoi mrekullisht

45′ Inkursion i bukur nga e majta për Rrahmanin që depërton në zonë, tenton pasimin për Krasniqin por Goutas shpëton ekipin e tij duke e devijuar topin në goditje këndi

43′ Ballkani pranë golit të dytë, Krasniqi niset nga e djathta drejt qendrës, por portieri Vural devijon mrekullisht topin

36′ Gooooooool! Thaqi kalon në avantazh Ballkanin, mbrojtësi realizon me një goditje preçize jashtë zone

33′ Momenti më i mirë për Ballkanin që tanimë provon me Dellovën nga distanca, por silura e futbollistit të Ballkanit ndalet nga portieri Vural

30′ Mundësi e artë për Ballkanin me anë të Rrahmanit, sulmuesi shpërdoron nga fare pranë portës

22′ Ballkani kundërpërgjigjet me anë të Korenicës, por sulmuesi bllokohet në fund

16′ Yatabare shënjestron me kokë kuadratin e Stivi Frashërit, por portieri zgjatet dhe kontrollon pa problem topin

10′ Sivasspor shfaqet në zonën e Ballkanit, gjithsesi Jashanica ndërhyn i sigurt dhe largon rrezikun

5′ Përplasje në zonë mes Rrahmanit dhe një prej mbrojtësave kundërshtarë, por nuk ka asnjë vendim nga arbitri Schuettengruber

3′ Gabon Zyba që e hedh topin në një zonë shumë të rrezikshme, megjithatë është Jashanica që korrigjon gafën e shokut të skuadrës

1′ Starton sfida në “Fadil Vokrri”, Ballkani pret turqit e Sivassporit

Reshjet e dendura të shiut nuk kanë penguar aspak tifozët që të shkojnë në shkallët e stadiumit, teksa klubi nga Theranda ka raportuar që dje se janë shitur të gjithë biletat.

Aktualisht skuadrat kanë dalë në nxehjen e zakonshme para ndeshjes, ndërsa tribunat e stadiumit “Fadil Vokrri” po mbushen gradualisht, me tifozerinë që shpreson në një tjetër mbrëmje magjike.

Trajneri Ilir Daja ka ndarë mendjen për formacionin që do të hedhë në fushë ndaj turqve, duke konfirmuar rreshtimin e tij të preferuar 4-3-3, teksa sfida starton në orën 21:00 dhe do të transmetohet live në ekranin e SuperSport 2.

Formacionet zyrtare:

 

Lexo me shume