Video/ Penalltia e tretë radhazi e humbur nuk ndalon Teutën: Gjini bën pushtuesin në Korçë_6639ed5de9967.jpeg

Video/ Penalltia e tretë radhazi e humbur nuk ndalon Teutën: Gjini bën pushtuesin në Korçë

Gjini i jep fitoren Teutës në transfertën me Skënderbeun, duke vendosur ndeshjen me goditjen e tij me kokë. 1-0 e durrsakëve që mjafton për Martinin, të largojë sa më shumë zonën e rënies nga kategoria, në javën e 31 të Superiores. Pas dy humbjeve radhazi, Teuta rikuperon situatën duke shkuar të fitojë në transfertën e Korçës përballë Skënderbeut.
Në minutën e 3’ Gjini nuk zgjidhi si duhet mundësinë që iu krijua e pastaj erdhi 11 metërshi i akorduar nga Hamiti në minutën e 29’. Arbitri u thirr nga VAR për të rishikuar pamjet, pas protestave të Teutës, duke treguar pikën e bardhë që është edhe makthi i skuadrës së Martinit. Edhe pse ndryshoi ekzekutori, me Krujën në vend të Peposhit, rezultantja ishte e njëjtë, penallti e humbur.
GJINI FSHIN GABIMIN E KRUJËS
U duk, në fakt, se do të ndryshonte dicka në pjesën e dytë kur Liço pati një mundësi ideale në minutën e 48’, por gjërat u kthyen në rrjedhën e të parës, me Teutën agresive dhe presingun e lartë të Martinit që bënte punë. Daci shpërdoroi dy raste në të 50’ përpara portës së Skënderbeut, ndërsa gjithçka të rrezikshme për korcarët e krijojnë këmbët e Liços, për fatin e keq të Gvozdenovic pa shënjestrën e duhur. E në minutën e 75’ Teuta goditi, duke rrëmbyer fitoren me golin me kokë të Gjinit, në zhvillimet e një goditje këndi.
Video/ Goli i Gjinit
Me këtë triumf skuadra e Martinit shkon në kuotën e 37 pikëve ndërsa Skënderbeu mbetet në vendin e 6-të me 41 pikë. Vendosi një gol i Gjinit, që fshehu mungesën e goditësve të penalltive mes durrësakëve, ku Kruja humbi 11 metërshin e tretë radhazi. Rrëzohet Skënderbeu, këtë herë në shtëpi dhe luhatjet e rezultateve me një fitore e një barazim në 5 ndeshjet e fundit rrezikojnë ta lënë jashtë Final Four.

Burimi