VIDEO/ “Tetori Rozë”, Monolog nga Arilena Ara: Mjerimi nuk do mëshirë, do vetëm të drejtë!

Jemi në tetor, dhe ky tetor është rozë. Ju mund të keni parë fjongot rozë në faqet e Facebook ose Instagram, aktivitete me ngjyra rozë. Një fushatë e tërë piari rozë. Të gjitha këto në mbështetje të luftës së kancerit të gjirit.

Disa nga ne që vëmë fjongot rozë nëse do kemi fatin e keq do vrapojmë të kurohemi jashtë vendi, pa e ditur se me çfarë vuajtjesh përballen vajzat dhe gratë këtu.

Në vend të fjongos unë në këtë tetor kam vetëm pyetje. A e dini ju se në spitale mungojnë medikamentet bazë për të suportuar këto sëmundje të rënda?

A e dini se në shumë raste aparaturat nuk punojnë, që jepen urdhra nga titullarë apo shefa që në periudha të caktuara të mos kryhen ekzaminime pasi mungojnë mjetet, e shumë medikamente mungojnë dhe duhet blerë jashtë spitali apo jashtë shtetit me kosto të papërballueshme për shumicën e pacienteve?

A e dini se për ekzaminime specifike pacientët duhet medoemos t’i drejtohen klinikave private brenda dhe jashtë vendit për të zgjatur jetën e tyre?

A e dini sa është fatura financiare që përballon një familje në këto raste?

A e dini sa pacientë ka që hyjnë në kredi dhe borxhe tek miqtë, ndërsa fatura duhet paguar për vite e për vite?

A e dini sa është pagesa e kempit ndërsa një grua po përballet me një sëmundje monstër, ajo pagesë është e papërballueshme, është fyese, është poshtëruese, në kufijtë e të papërfytyrueshmes?

A e dini ju se për të ushqyer fëmijët ka shumë gra në kimio-terapi që refuzojnë kempin dhe paguxuar që t’i tregojnë punëdhënësit se janë të sëmura shkojnë në punë çdo ditë?

Për këto vajza kanceri i gjirit do të vazhdojë edhe pas tetorit, kur ju, kur ne të kemi hequr fjongot rozë dhe të kemi vënë fjongot e tjera.

Më shumë se fjongot, ato vajza dhe gra kanë nevojë për politika të posaçme dhe shëndetësore, që t’i mundësojnë çdo njërës, përveç mjekimit falas dhe cilësor, edhe një jetesë dinjitoze, edhe një suport financiar.

Një vajzë e re a një grua çdo mëngjes a mbrëmje do të vazhdojë të largohet pa dëshirë nga kjo botë, kur ne ta kemi harruar tetorin rozë.

Tetori i tyre nuk është rozë, dhe askush nuk e ka thënë më mirë se Migjeni: Mjerimi nuk do mëshirë, do vetëm të drejtë!

Lexo me shume