Vizioni i Fidel Yllit për sportin në vend

Kreu i KOKSH tregon përfitimet nëse Tirana merr titullin “qyteti sportiv europian për 2023”

Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar Fidel Ylli mendon se masivizimi i sportit është parësor për vendin, sepse do të sjellë rritje të nivelit e më shumë kampionë.

Ai tregon projektin që ka për të ndihmuar talentet në emisionin “Klan News Sport”, me gazetaren Viola Spiro.

“Ne mendojmë që sporti duhet masivizuar, masivimi do të sjellë dhe cilësinë për sportet elitare dhe masivizimin ne duhet ta bëjmë në shkolla. Pas një periudhe 1 vit e ca kryeministri e shikon me vëmendje këtë projekt, më thërret në zyrë, ia shpjegoj me detaje dhe i them që nuk është vetëm sport, është socializim”, ka thënë Fidel Ylli.

Shqipëria ka marrë medalje në disiplina të ndryshme nga atletja Luiza Gega, mundësit Abakarov dhe Islam Dudajev, por edhe në peshëngitje apo edhe sporte të tjera. Por Ylli është optimist për të tjera suksese në vazhdim.

“Është një vit shumë i rëndësishëm për ne se është vit kualifikues për kualifikimet e sportistëve të këtyre sporteve individuale për në Lojrat e Parisit 2024 dhe ne me mundje me qitje me boks me tajfundo, me të gjithë këto sporte që ne i kemi traditë, me peshëngritje, shpresoj që këtë radhë do ta kemi mundësinë për të marrë një medalje”, është shprehur Ylli.

Presidenti i Koksh tregon edhe përfitimet që Tirana do të ketë nëse merr titullin si “Qyteti sportiv europian për 2023”, për të cilin ka aplikuar.

“Duke pasur mundësi që vitin tjetër Bashkia e Tiranës të aplikojë si qyteti Europian i Sportit, ne i kemi thënë të gjithë federatave që të kontaktojnë me federatat e tyre që çfarë aktivitetesh kanë, të kenë mundësi t’i sjellin në Tiranë sepse ne promovojmë vlerat më të mira të kësaj Tirane që po ndryshon dita ditës”, ka thënë Fidel Ylli.

Në 18 muaj punë, Ylli u vlerësua me Çmimin prestigjoz “Laurel” për rolin e tij në promovimin dhe zhvillimin e sportit. Por ai kërkon më shumë suksese për të ardhmen për Shqipërinë.

Klan News

Lexo me shume