Vota e Diasporës/ “Nëse realizohet, fati i qeverisë varet nga opinionet e emigrantëve shqiptarë”, Fuga për takimin e Ramës në Athinë: U tregoi grekëve se kemi “kalin” tonë në Greqi_6643c6592b4e3.jpeg

Vota e Diasporës/ “Nëse realizohet, fati i qeverisë varet nga opinionet e emigrantëve shqiptarë”, Fuga për takimin e Ramës në Athinë: U tregoi grekëve se kemi “kalin” tonë në Greqi

Akademiku Artan Fuga në një lidhje skype për emisionin “Breaking” me gazetaren Dafina Hysa në Top News, komentoi takimin e kryeministrit Edi Rama me shqiptarët në Athinë si dhe dinamikat që mund të sjellë në sistemin politik shqiptar mundësimi i votës së Diasporës.

Fuga tha se nëse në Kodin Zgjedhor mundësohet vota e Diasporës, atëherë fati i shumicës politike që do të qeverisë vendin, do të varet më së shumti nga fluksi i mendimeve që kanë emigrantët shqiptarë të cilët jetojnë jashtë vendit.
“Do ketë mitingje elektorale edhe jashtë territorit të Shqipërisë. Kjo nënkuptohet për arsye se vendet e BE janë demokratike dhe çdo grupim politik mund të organizojë një miting dhe çdo politikan i një vendi mund të shkojë. Ne do kemi që me votën e emigrantëve, shumë fate të Shqipërisë nga pikëpamja e politikës, do vendosen nga jashtë Shqipërisë. Do të thotë se do të varet shumë nga një fluks opinionesh jashtë Shqipërisë.

E ka edhe Franca e vende të tjera por nuk është njësoj sepse Shqipëria ka më shumë se gjysmën e popullsisë jashtë vendit. Po hyjmë në një epokë ku fatet e Shqipërisë nga pikëpamja zgjedhore dhe ndërtimi i qeverisë, do varet kryesisht nga jashtë vendit. Këta votues do të kenë interesa në çfarë raportesh është partia që kandidon në Shqipëri me vendin ku ata jetojnë”- tha Fuga.
Përsa i takon takimit në Athinë, Fuga tha se pavarësisht notave populiste që kishte fjalimi i kryeministrit Rama, ky i fundit i tregoi Greqisë se edhe Shqipëria ka mundësi ndikimi në shtetin helen me emigrantët shqiptarë të cilët tashmë janë shtetas grekë.
“Ai ishte edhe si një kryeministër që ka probleme me Greqinë edhe si kryetar i PS, edhe si një person që përfaqëson një shtet anëtar të NATO-s, ishte edhe si një shtetas që përfaqëson interesa të mëdha gjeopolitike të Shqipërisë. A kishte nota populiste? Po padyshim! Por këto janë teknika komunikimi. Ai i tregoi Greqisë që nëse Greqia ka avantazh për të ndikuar mbi fatet e Shqipërisë, pas një 30 vjeçari me anë të prezencës së emigrantve shqiptarë që tashmë janë bërë shtetas grekë, edhe Shqipëria ka “kalin e vetë” në Greqi”- u shpreh ndër të tjera akademiku.
Sipas tij, me takimin e zhvilluar në Athinë, Rama ka çelur fushatën elektorale në Diasporën shqiptare.

Top Channel

Burimi