Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin pritet të japë nesër vendimin për ngjarjen e rëndë dhe kriminale të ndodhur më 30 maj 2020, në Kurbin, ku mbetën të vrarë biznesmenët Paulin Gjergji dhe Bujar Lika (Hasani). Por, ndërsa prokuroria, në pretencën e saj të dhënë më 10 tetor 2022, kërkoi dënime të rënda për dy autorët e dyshuar, përkatësisht burgim i përjetshëm për shtetasin Eduard Lamaj dhe 35 vite burg për shtetasin Ilir Lika, vendimi i gjykatës dyshohet se do të jetë më i lehtë. Burime nga Gjykata e Rrethit Gjyqesor Kurbin thanë se nesër priten te jepen masa më të ulëta se ato që kërkoi prokuroria, duke dyshuar për ndikim te trupi gjykues.
Ngjarja e rëndë e vrasjes së biznesmenëve Paulin Gjergji dhe Bujar Lika (Hasani) ndodhi brenda një lokali në autostradën Milot-Mamurras pranë fshatit Gjorm të Kurbinit dhe për këtë krim të dyfishtë u dërguan për gjykim katër të pandehur për akuzat e vrasjes në rrethana të tjera cilësuese e kryer në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje, përkatësisht Eduart Lamaj dhe Ilir Lika (Xhepaj) të arrestuar, ndërsa Klaudio Përkola dhe Oltion Vlashi janë ende në kërkim nga policia.
Eduart Lamaj akuzohet se ka pasur rolin e ekzekutorit, ndërsa miqtë e tij Ilir Lika (Xhepaj), Klaudio Përkola dhe Oltion Vlashi kanë qenë në rolin e ndihmësit dhe që të gjithë kanë qenë të armatosur dhe të veshur me jelekë antiplumb.
Autorët kanë hyrë në ambientet e brendshme të lokalit dhe kanë nisur të qëllojnë me armë në drejtim të biznesmenëve, ndërsa kishin mbajtur peng në ambientet e jashtme dy djemtë e të ndjerit Paulin Gjergji.
I pari ka qëlluar Eduard Lamaj, që u plagos në vendngjarje nga Bujar Lika, i cili iu përgjigj me armë në kushtet e vetëmbrojtjes. Lamaj më pas ka treguar edhe emrat e shokëve që kanë qenë bashkëpunëtorë në këtë krim të mirorganizuar, në momentin që u arrestua nga forcat e policisë në klinikën private “Ama Vita”, ku kishte shkuar të mjekohej, por nuk bëhet akoma e ditur se kush kanë qenë personat që e shoqëruan në klinikë.
Biznesmenët Bujar Lika (Hasani) dhe Paulin Gjergji, të vrarë më 30 maj 2020
br> br>Lexo me shume