Vrasja e efektivit të forcave “Shqiponja”/ Reagon Rrumbullaku: Ndjehem thellësisht i tronditur! Unë zotohem në emër të Policisë së Shtetit se…_66424034536ea.jpeg

Vrasja e efektivit të forcave “Shqiponja”/ Reagon Rrumbullaku: Ndjehem thellësisht i tronditur! Unë zotohem në emër të Policisë së Shtetit se…

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka reaguar pas vrasjes me armë të 28-vjeçarit Novruz Cenalia, efektiv i forcave “Shqiponja”.

Ai thotë se autori do të marrë dënimin maksimal që parashikon ligji, ndërsa shpreh pikëllimin e tij dhe i përcjell ngushëllimet familjes së viktimës.
Muhamet Rrumbullaku:

Policia e Shtetit dhe unë personalisht ndjehemi thellësisht të tronditur nga vrasja e punonjësit të policisë Novruz Cenalia, mesditën e 13 Majit 2024. Ndarja e parakohshme nga jeta e një djali të ri si Novruz Cenalia na ka hidhëruar të gjithëve, familjen e tij, që është zhytur në lot e zi, dhe familjen e madhe të Policisë së Shtetit.
Për të gjithë ne, kjo dhimbje bëhet edhe më e hidhur kur jeta e një punonjësi të Policisë së Shtetit ndërpritet nga dora e një vrasësi, që ende është i lirë. Unë zotohem në emër të Policisë së Shtetit se, do të bëjmë gjithçka për ta vendosur para ligjit autorin e vrasjes së Novruz Cenalisë.
Shpreh bindjen se i gjithë opinioni publik ndodhet sot përkrah familjes Cenalia dhe Policisë së Shtetit dhe do të ndihmojë në kapjen e autorit të krimit.
E kam theksuar me forcë, edhe pak ditë më parë, gjatë ceremonive përkujtimore për të rënët e policisë, se uniforma e Policisë së Shtetit është e shenjtë. Kushdo që guxon të cenojë uniformën e policisë, shëndetin dhe jetën e punonjësve të saj, do të marrë përgjigjen më të ashpër ligjore.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku

Top Channel

Burimi