Vret veten avokati qeveritar që shkroi legjislacionin ‘Covid’ prej efektit të izolimeve, thotë komisioni (fotot)

Një avokat qeveritar në Uells i përfshirë në hartimin e ligjeve të kufizimeve për Covid, ka vrarë veten pasi nuk përballoi presionin në punë dhe efektin e izolimeve, u tha sot në seancën dëgjimore të çështjes.

Babai i dy fëmijëve Owain Vaughan Morgan, 44 vjeç, u gjet i vdekur në një zonë pyjore në Cardiff në prill të vitit të shkuar, nje dite pasi ishte raportuar i humbur nga bashkëshortja.
Në komisionin hetimor të çështjes në gjykatën e Pontypridd, gruaja e Morgan, Catherine e përshkruante atë si një person familjar që preferonte të lexonte e të shëtiste me familjen.

Ajo shton se ai nuk kishte pasur precedentë depresioni deri në periudhën e pandemisë në 2020, shkruan rrjeti britanik Daily Mail.
Në janar 2020, Morgan u ngrit në detyrë duke u bërë avokat zyrtar i qeverisë rajonale të Uellsit.
Në seancë u tha se puna e re ishte e vështirë dhe e gjatë, ndërsa Morgan haste gjithnjë e më shumë vështirësi duke punuar nga shtëpia gjatë izolimeve në maj 2020, kur dhe kishin nisur dhe krizat e panikut dhe dridhjet në kompjuterin e punës.
Ai ishte përfshirë në hartimin e legjislacionit të periudhës së Covid.
Pas njëfarë periudhe, Morgan iu dha një kohë pushimi dhe mjekët i rekomanduan anti-depresivë.
Doktori Huw Davies, përshkruante sesi monitoronte shëndetin mendor të Morgan dhe i rekomandoi ‘terapi konjitive të sjelljes’.
Por masat duket se nuk dhanë rezultat teksa më 23 shkurt 2021, ai bëri tentativën e parë ndaj jetës së tij, dhe u shtrua në spitalin psikiatrik të Llandough.
Doktoresha e tij Dr Anne-Marie Dunsby, tha se Morgan nuk përballonte dot idenë se po bëhej një barrë për familjen e tij dhe nuk ishte në lartësinë e duhur.
Ai ishte i trembur se nuk do të gjente dot më punë dhe për pasojat financiare të largimit nga detyra.
Pas daljes nga spitali, shëndeti i Morgan nuk u përmirësua, ndërsa gruaja e shpalli të humbur më 13 prill.
Policia tha se Morgan u gjet një ditë më vonë më 14 prill në zonën pyjore Lisvane Road i vetëvarur, sic u shpall dhe konkluzioni zyrtar i hetimeve.

FOTO GALERI
1/3

Owain Vaughan Morgan, 44 vjeç, u gjet i vdekur në një zonë pyjore në Cardiff në prill të vitit të shkuar

Top ChannelLexo me shume