Vuan nga deliri dhe halucinacionet, vrasësi i shqiptares i papërshtatshëm për burgun

Vrasësi i 37-vjeçares shqiptare Brunilda Halla, e cila u godit për vdekje me thikë para shtëpisë së saj në Vittoria (Ragusa, Itali), më 25 Maj të këtij viti, është i papërshtatshëm për burgun ku ndodhet. Kjo për shkak të gjendjes së tij psikofizike, që e bëjnë të vuajë nga deliri dhe halucinacionet.

Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, gjykatësi i hetimeve paraprake vendosi që ta transferojë 28-vjeçarin italian në një institut të specializuar.

Avokatët mbrojtës kishin argumentuar më herët se klienti i tyre në momentin e vrasjes së shqiptares ishte i paaftë për të kuptuar apo logjikuar. Ai e goditi gruan 6 herë me thikë pas shpine, teksa 37-vjeçarja po mbyllte derën e shtëpisë.

28-vjeçari akuzohet për vrasje me paramendim. Ai e pranoi krimin e rëndë dhe tha se kishte qenë i vendosur për të vrarë personin e parë që do të takonte në rrugë, për t’u hakmarrë ndaj abuzimeve që kishte pësuar nga shoqëria.

Brunilda Halla, nënë e dy fëmijëve, po shkonte për në punë kur u godit për vdekje. Ajo nuk e vuri re vrasësin, deri në momentin që ai ndodhej pas shpatullave të saj. Bruna vdiq përpara se të mbërrinte ambulanca.

28-vjeçari më pas u arratis, duke fshehur rrugës thikën dhe bluzën e gjakosur. Ai u arrestua pak orë më pas në shtëpinë e tij, pasi autoritetet morën dëshmitë në vendngjarje dhe panë kamerat e sigurisë që kishin filmuar gjithçka.

Fillimisht e mohoi krimin, më pas pranoi gjithçka, përfshirë faktin se viktimën e kishte zgjedhur rastësisht, pa e njohur dhe pa pasur asnjë lloj konflikti me të./tvklan.al

Lexo me shume