Xi paralajmëron se Kina kurrë nuk do të “heqë dorë nga përdorimi i forcës” në lidhje me Tajvanin

Xi Jinping dha një paralajmërim të ashpër për Tajvanin gjatë fjalimit të tij të dielën, duke thënë se Kina do të arrinte ribashkimin me ishullin vetëqeverisës me forcë nëse është e nevojshme.

“Ne do të vazhdojmë të përpiqemi për ribashkim paqësor me sinqeritetin më të madh dhe përpjekjet më të larta, por nuk do të premtojmë kurrë se do të heqim dorë nga përdorimi i forcës dhe ne rezervojmë opsionin për të marrë të gjitha masat e nevojshme”, tha Xi.

Ai shtoi se fjalët e tij ishin “të drejtuara vetëm nëse ndërhyhej nga forcat e jashtme dhe në rast se disa separatistë kërkonin pavarësinë e Tajvanit”.

“Rrotat e historisë po rrotullohen drejt ribashkimit të Kinës dhe përtëritjes së kombit kinez. Ribashkimi i plotë i vendit tonë duhet të realizohet”, tha Xi.

Partia Komuniste në pushtet e Kinës pretendon Tajvanin si territorin e saj, pavarësisht se kurrë nuk e ka kontrolluar atë.

Vërejtjet e Xi për Tajvanin tërhoqën nivelin më të madh të duartrokitjeve përmes fjalimit të tij, i cili zgjati vetëm dy orë, shkruan CNN. 

Xi theksoi gjithashtu nevojën për të forcuar ushtrinë e Kinës, duke thënë se vendi do të “krijojë një sistem të fortë të parandalimit strategjik” dhe “të intensifikojë stërvitjen ushtarake në kushte luftarake”.

Kina duhet të “përshpejtojë modernizimin e teorisë, organizimit, personelit, armëve dhe pajisjeve ushtarake”, në mënyrë që ushtria e saj “të përmbushë në mënyrë efektive misionin dhe detyrat në epokën e re”, shtoi ai./Abcnews.al/ 

 

Lexo me shume