Zbulohet ‘dinakëria’ e çiftit të farmacistëve në Sarandë, e çuan policinë në një tjetër shtëpi

Çifti i farmacistëve Kristo dhe Aleksandra Angjelo, të cilët prej 13 tetorit ndodhen në “Arrest shtëpie”, të arrestuar pas operacionit “Storage” ku u zbuluan mbi 1200 medikamente kontrabandë, kundërshtojnë në Gjykatë kontrollin e banesës së e tyre të kryer nga policia.
Çështja është regjistruar të premten në 21 tetor në Gjykatën e Sarandës. Objekti i padisë së çiftit 64 e 62 vjeçar është: “Deklarimin e pavlefshëm të aktit procedural të procesverbalit të datës 10.10.2022 të kontrollit të banesës”.
Padia do të shqyrtohet nga Gjyqtarja Suela Xhani në ditët në vijim. Në 10 tetor policia e Sarandës ushtroi kontroll fillimisht në farmacinë e çiftit në lagjen nr.2 ku u gjetën një sasi medikamentesh të llojeve të ndryshme, të pashoqëruara me dokumentacionin përkatës, të cilat ishin futur kontrabandë.
Operacioni ka vijuar me kontrollin e banesës së këtyre dy shtetasve, të cilët sipas policisë, janë munduar që t’i orientojnë uniformat blu në një banesë tjetër, me qëllim shmangien e kontrollit në banesën e tyre.
Shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e bashkëshortëve, ku kanë konstatuar dy dhoma në të cilat ishin magazinuar 1287 lloje medikamentesh mjekësore në sasi të ndryshme, me vlerë rreth 70 mijë euro. Medikamentet mjekësore u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Lexo me shume